Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Elbasan, ku një 69-vjeçar dyshohet se ka tentuar të djegë bashkëshorten e tij.
Sipas informacioneve paraprake, i moshuari ndodhej në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes, fillimisht ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij, Minushe Danga. Më pas, ai i ka marrë me forcë telefonin dhe ku dyshohet se e ka spërkatur me benzinë dhe i ka vënë flakën.
Burime paraprake bëjnë me dije se shkak i ngjarjes dyshohen të kenë qenë motive xhelozie, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes janë nën hetim.
Mësohet se dhuna në familje kishte qenë e vazhdueshme prej kohësh. E moshuara ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje gjatë tre muajve të fundit, për shkak të konflikteve të përsëritura.
Si pasojë, gruaja ka pësuar lëndime dhe është transportuar fillimisht me urgjencë në spitalin e Elbasanit dhe më pas në repartin e djegieve në Tiranë.
Ndërkohë, shërbimet e policisë kanë arrestuar 69-vjeçarin, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
