Tre të rinj janë arrestuar nga shërbimet e Policisë së Shkodrës, pasi janë kapur me armë zjarri dhe droga të llojeve kanabis e kokainë, në një lokal në lagjen "Vasil Shanto" të kryeqendrës së veriut.
Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme "Shqiponja", në bashkëpunim me strukturat e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar "SIGURIA".
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- E. K., 42 vjeç, banues në Shkodër;
- A. I., 18 vjeç, banues në Shkodër;
- I. A., 18 vjeç, banues në Londër.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit E. K., i cili ndodhej në ambientet e një lokali në lagjen "Vasil Shanto", në Shkodër, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, dhe një doze të lëndës së dyshuar narkotike kokainë.
Gjithashtu, në momentin e kontrollit, së bashku me shtetasin E. K. ndodheshin shtetasit A. I. dhe I. A., të cilët u arrestuan në flagrancë për veprën penale "Moskallëzimi i krimit". Gjithashtu gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. I. u gjet dhe u sekuestrua një cigare me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
