Ditën e nesërme bëhet plot një javë nga aksidenti tragjik i ndodhur në Itali që i mori jetën 42-vjeçarit Xhevdet Bakushit dhe 69-vjeçarit Agostino Lagnese nga Francolise. Ndërsa mëoshet se prokuroria italiane ka urdhëruar nisjen e procedurave për kryerjen e autopsisë me qëllim zbardhjen e plotë të aksidentit që la pas dy viktima.
Mediat vendase raportojnë se ka qenë zëvendësprokurorja Oriana Zona ajo që i ngarkoi kryerjen e ekspertizës mjekut ligjor Valerio Mastrioianni, i cili kreu ekzaminimin e trupave për të përcaktuar shkaqet dhe kohën e vdekjes, si dhe mjetet që e shkaktuan atë.
Po ashtu bëhet me dije se, në procedurë morën pjesë edhe familjarët e viktimave, ndërsa mësohet se gruaja e Xhevdet Bakushit po ndihmohet nga avokatët Antonio Morgillo dhe Rosa Marika Martinelli.
Ndonëse është bërë java nga aksidenti që shkaktoi vdekjen e menjëhershme të shqiptarit dhe shtetasit italian, akoma nuk kanë dalë detaje rreth zhvillimit të ceremonisë mortore të Xhevdet Bakushit.
Newsbomb.al mëson se reagimet më të fundit nga familjarët e shqiptarit që vdiq në Itali, kanë qenë para dy ditësh. Të afërm të Xhevdetit kanë reaguar të tronditur nga humbja tragjike e njeriut të tyre, që la pas 2 fëmijë të mitur.

