Janë zbardhur dëshmitë e disa prej të arrestuarve që u vunë në pranga në kuadër të një operacioni të kryer në mesin e muajit prill në një nga ndërtesat në qendër të Tiranës, të cilat mësohet se nuk kanë ndikuar për zbutje të masës së sigurisë ndaj tyre.
Konkretisht bëhet fjalë për Ledio Toçi, Xhoel Mekolli si dhe disa anëtarë të tjerë të grupit të tyre, të cilët kanë pretenduar para togave të zeza se ataa janë përfshirë në veprimtarinë e Call-Centerave si rrjedhojë e nevojës për t’u kujdesur për fëmijët dhe partneret e tyre shtatzëna.
Ndonëse u justifikuan me nevojën për t’u kujdesur për fëmijët dhe partneret e tyre, ata sërish nuk e kanë bindur gjyqtaren e Apelit, Valdete Hoxha që t’i zbusë masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në një masë tjetër, raporton gazetari Elton Qyno.
Po ashtu mësohet se Toçi, ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë pasi duhet të ushtronte detyrën e babait për përkujdesjen e një fëmije 2 vjeç. Të njëjtën linjë ka mbajtur dhe Xhoel Mekolli, i cili ka pretenduar se bashkëjetuesja e tij është shtatzënë dhe duhet të kujdeset për të, pasi ka rrezik.
Më tej Mekolli është shprehur para togave të zeza se qëndrimi i tij në burg, rrezikon marrjen e infeksioneve, pasi ai i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal, konkretisht për “Sinus pilonidal recidiv”.
Tashmë Gjykata e Apelit Tiranë, ka zbardhur vendimin e plotë, duke i cilësuar, Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekollin, Aida Voklin, Ledjon Cenaj dhe persona të tjerë në kërkim, si individë që kanë bashkëpunuar mes njëri-tjetrin, duke mashtruar qindra qytetarë të huaj me synim përfitimin e parave.
Sipas vendimit të gjykatës, Eduard Dalla, dyshohet si person që siguronte dhe menaxhonte infrastrukturën teknike të internetit dhe lidhjeve VOIP për call center-at.
Dyshimet janë e ngritura ndaj tij lidhen me faktin se numri i tij i telefonit rezultonte i përdorur në kontrata interneti të lidhura me IP-të e identifikuara nga autoritetet austriake.
Gjithashtu, nga përgjimet dhe verifikimet rezulton se ai komunikonte me kompani interneti për instalime në adresa të ndryshme dhe dyshohet se shërbente si ndërmjetës për sigurimin dhe shpërndarjen e internetit në ambientet ku zhvillohej aktiviteti i Call-Center-ave.
Po ashtu raportohet se Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra, dyshohen si persona me rol qendror në skemën financiare të mashtrimit.
Sipas të dhënave të autoriteteve austriake, në adresat e tyre kripto kanë kaluar shuma shumë të mëdha parash që lidhen me investimet e kryera nga viktimat.
Konkretisht, Mateo Hoxha dyshohet të ketë përfituar mbi 3.2 milion USD, ndërsa Tedi Agastra mbi 4.8 milion USD. Prokuroria dyshon se ata janë përfituesit fundorë të kriptovalutave të lidhura me aktivitetin mashtrues.

