Shërbimi i pastrimit të Korçës do të vazhdojë të bëhet nga kompania “Korsel”. Bashkia e qytetit juglindor e ka shpallur fituese të një procedure prokurimi me vlerë 3.8 miliardë lekë, pas kontratave të mëparshme, prej disa vitesh.
Më 30 qershor 2026, KORSEL SHPK me pronar de fakto shtetasin Maksim Fejzulla është shpallur fituese me ofertë gati sa fondi limit, 380,5 milionë lekë (pa TVSH). Ortak me “Korsel” është shfaqur FUSHA shpk e oligarkut Shkëlqim Fusha.
Operatori tjetër në garë ka qenë Shoqëria ALKO IMPEX CONSTRUCTION shpk me pronar Arbër Abazin, por ajo është treguar e painteresuar për ta fituar, pasi ka bërë ofertë më të lartë, të barabartë me fondin limit, si dhe nuk ka dorëzuar DST.
Sipas formularit, Shoqëria ALKO IMPEX CONSTRUCTION shpk, është skualifikuar pasi nuk plotësonte kriterin e veçantë të kualifikimit, që të kishte në pronësi apo me qira një ambient me sipërfaqe jo më pak se 800 m², i cili do të shërbejë për parkimin e mjeteve të pastrimit.
Prej 11 vitesh, tenderët e pastrimit në Korçë janë marrë nga firma “Korsel”. Aktualisht pronare e firmës është Marjela Peri, punonjëse e Maksim Fejzulla, i cili e ka kaluar kompaninë në emrin e saj në qershor 2023, përmes një kontrate dhurimi.
Ky veprim dyshohet se është bërë i detyruar, pas një hetimi penal ndaj tij dhe përjashtimit për 18 muaj nga pjesëmarrja në tendera publikë.
Në fillim të vitit 2022, kompania “Korsel “ u zbulua se kishte paraqitur dokumente false në një procedurë tenderuese në Tiranë. Sipas vendimit të Agjencisë së Prokurimit Publik, me Vendimin Nr.5 dt. 27 janar 2022, pronari i kësaj firme ka marrë pjesë në disa tendera pastrimi me dokumente shtetërore false, nuk ka zbatuar kontratat e pastrimit të bashkive kur ka fituar tendera, dyshohet se ka vjedhur 115 kazanë plehrash në Sarandë dhe ka fshehur faktin që ishte nën hetim penal.
Pasi është informuar nga Komisioni i Prokurimit Publik se ky subjekt kishte përdorur të dhëna të rreme për t’u përfshirë në tenderin me objekt ‘Pastrimi i zonës Tirana II, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka vendosur që Korsel SHPK të përjashtohet për 18 muaj nga pjesëmarrja në tendera.
Ky vendim ka ardhur pasi një nga operatorët ekonomik pjesëmarrës në garë ka ankimuar vendimin e Bashkisë Tiranë për shpalljen fitues të kompanisë “Korsel” në tenderin për pastrimin.
Biznesmeni u rikthye në tendera pas disa muajsh. Gjykata Admnistrative mori një vendim në favor të firmës dhe APP-ja e ka hequr nga lista e të pezulluarve, duke e lejuar kështu të marrë kontrata publike.
