Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba ka deklaruar këtë të hënë se së shpejti pritet të ketë ndryshime serioze në kontratat e qytetarëve me kompanitë celulare, lidhur me çmimin dhe shërbimet që këto kompani ofrojnë.
Duke qenë se Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është autoriteti rregullator i tregut të telefonisë që miraton kontratat dhe Autoriteti i Konkurrencës vetëm kontrollor, pritet të ketë përplasje administrative për sa i përket ndryshimeve që parashikohen të bëhen.
“Me vendimin e ardhshëm që ne do të marrim ka për të pasur ndryshime serioze në kontratat përkatëse që këto kompani do t’ju paraqesin konsumatorëve shqiptarë.
Ne do të kërkojmë me pasojë edhe gjobën, hipotetikisht, uroj që jo, që disa nga këto formulat në kontratat aktuale të One apo Vodafone për këtë çështje apo për çështje të tjera, të riformulohen nga kompania.
Por kini parasysh që ato kontrata janë të miratuara nga rregullatori sektorial dhe këto ndodhemi edhe në një përplasje të karakterit administrativ”, tha ai.
Autoriteti i Konkurrencës ka hapur prej kohësh një hetim paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, teksa i ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të ndajnë ankesat, problematikat apo shqetësimet e tyre lidhur me këtë treg.
