Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Merr fund arratia e “bolit të kokainës”, Ervin Mata PRANGOSET në Brazil

Shkruar nga Newsbomb
Merr fund arratia e “bolit të kokainës”, Ervin Mata
Ne foto: Ervin Mata

Ka marrë fund arratia e Ervin Matës, i njohur ndryshe edhe si “boli i kokainës”. Sipas raportimeve të fundit mësohet se Mata, një eksponent i njohur i botës së krimit ka rënë në pranga në Brazil.

Arrestimi i Matës është konfirmuar së fundmi edhe nga pala shqiptare. Përmes një reagimi zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se 39-vjeçari fshihej në Brzzil dhe përdorte dokumenta indentifikimi angleze, të falsifikuara.

“39-vjeçari fshihej në Brazil, duke përdorur dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara. Grupi kriminal, me veprimtari në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë, u hetua në kuadër të një procedimi penal të SPAK, në vitin 2023, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe agjencitë ligjzbatuese të 6 shteteve.

Si rezultat i shkëmbimit dhe koordinimit të informacioneve, në kohë reale, ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Brasilias, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Ëanted”, u kap në Brazil, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. M., 39 vjeç”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Shpallja në kërkim e Ervin Matës nga SPAK në 2023:

Ervin Mata u shpall  në kërkim në Nëntor 2023, pas 11 urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme, për një grup kriminal që vepron në trafikun e kokainës dhe hashashit nga Amerika Jugut, vrasjeve dhe pastrimit të parave.

Në muajt e parë të vitit 2023, media periferike raportuan se ish-partneri i këngëtares Elvana Gjata dhe një ndër personat e përfshirë në ngjarjen që mori emrin si "Masakra e ish-Bllokut", ishte zhdukur pa gjurmë në Bolivi. Mediat aluduan se disa muaj pas zhdukjes pa gjurmë së Ervis Martinaj, edhe Ervin Mata kishte pasur të njëjtin fat në Bolivi.

Mirëpo, hetimet, akuzat dhe bisedat e transkriptuara që SPAK ka siguruar nga autoritetet evropiane kanë nxjerr nga "strofulla" biznesmenin nga Tirana. Ervin Mata ishte pjesë me grupin e djalit të Erzen Breçanit dhe kishte komunikime të vazhdueshme në rrjetin e komunikimit “SKY”.

Menjëherë pasi ndaj tij u lëshua urdhër-arrest ndërkombëtar, u publikua dhe një video e fundit e Ervin Matës nga arratia. Pamjet rrëzuan pretendimet se biznesmeni nga kryeqyteti ishte zhdukur në Bolivi dhe asgjë nuk dihej në fatin e tij, sepse vetë Ervin Mata tregonte të kundërtën në kamera.

Nga ish-Blloku te krimi i organizuar:

Emri i tij u bë publik për herë të parë pas ngjarjes së rëndë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, më 4 tetor 2018. Gjatë një përplasjeje me armë në lokalin “Monopol”, u vra Fabjol Gaxha, truproja i Ervis Martinajt, një tjetër emër i njohur në botën e krimit, i zhdukur në rrethana misterioze që prej gushtit 2022. Po atë natë mbetën të plagosur vetë Martinaj dhe Eljon Hato.

Fillimisht u raportua se konflikti kishte shpërthyer për shkak të një ngacmimi ndaj këngëtares Elvana Gjata, e cila ndodhej në shoqërinë e Matës. Por më vonë, hetimet zbuluan një tjetër prapaskenë, një përplasje për një sasi të konsiderueshme kokaine, që sipas autoriteteve ishte në pronësi të Eldi Dizdarit, drejtues i njohur i “Kartelit Bello”, i cili aktualisht ndodhet në Dubai.

Atë kohë sherri nisi mes mes komandos Merviol Bilo dhe Eljon Hatos të cilët janë zënë për rreth 30 sekonda me grushta, ndërsa pak më tutje po ziheshin Ervis Martinaj dhe Ervin Mata.

Në një moment viktima Fabjol Gaxha ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar duke bërë që komando Merviol Bilo t’i përgjigjet po ashtu me armë duke qëlluar fillimisht Eljon Haton dhe më pas mbi personat e tjerë, ku Gaxha mbeti i vetmi i vdekur.

Pas përplasjes me armë Mervjol Bilo dhe Ervin Mata ishin të kërkuar nga drejtësia. Mata u vetëdorëzua pak ditë më pas, duke mohuar të ishte ai autori i vrasjes dhe se atë e kishin sulmuar.

Marrëdhënia me Elvana Gjatën:

Në vitin 2017, Ervin Mata ishte fejuar me këngëtaren e njohur shqiptare Elvana Gjata, pas një lidhjeje disa-vjeçare. Lidhja e tyre ishte mbajtur diskrete, megjithëse këngëtarja kishte folur në mënyrë të tërthortë për të në intervista publike, duke përshkruar partnerin si "një fat të mirë" që i kishte dhuruar Zoti.

“Unë mendoj që Zoti është treguar shumë i mirë me mua, më ka sjellë një fat shumë të mirë”, thoshte Elvana asokohe, deklaratë e cila u interpetua në rrjet se ishte pikërisht për Matan.

Pas përfshirjes së Matës në çështje penale dhe hetime të thelluara, edhe emri i këngëtares do të dilte në skenë më vonë, për shkak të një bisede të përgjuar në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC.

Dosja “Metamorfoza”, rrjeti i kokainës dhe urdhër-arresti nga SPAK:

Më 20 nëntor 2023, SPAK firmosi një urdhër-arrest ndaj Matës, si pjesë e një operacioni të madh antidrogë të koduar “Metamorfoza”. Nga hetimet rezultoi se ai kishte trafikuar rreth 250 kg kokainë nga Brazili drejt Gjermanisë, përmes aeroportit të Frankfurtit. Në bisedat e përgjuara, Mata shprehej se një pjesë e ngarkesës ishte sekuestruar,  konkretisht 240 kg dhe parashikonte që lajmi të bëhej publik ditën pasuese.

Këto të dhëna çuan në ndalimin e disa personave të tjerë, përfshirë biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe zyrtarin e lartë të policisë, Oltion Bistri.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese