Tensionet dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë para Kuvendit vijojnë. Policia ka shoqëruar në komisariat një grua, e cila është parë duke u larguar nga dy efektivë policie. Deri më tani nuk janë bërë të ditura arsyet e shoqërimit të saj.
Më herët, policia shoqëroi protestuesin e parë, pasi ai vendosi kosha mbeturinash në rrugë për të bllokuar qarkullimin e mjeteve.
Sipas informacioneve paraprake, numri i të shoqëruarve ka shkuar në 5, të cilët janë dërguar në Komisariatin nr. 1 në Tiranë, pas tensioneve të regjistruara gjatë tubimit.
Ndërhyrja e policisë vjen në kuadër të masave për të mbajtur nën kontroll perimetrin e sigurisë dhe për të zhbllokuar akset rrugore të bllokuara gjatë protestës.
Aktualisht nuk raportohen incidente të reja dhe situata para Kuvendit paraqitet e qetë, ndërsa forcat e rendit vijojnë të qëndrojnë në terren.

