Hapësire reklamuese

Aktualitet

Operacion i madh në Krujë, 15 grupe policie zbarkojnë në zonat malore, goditen dhjetëra parcela me kanabis

Shkruar nga Newsbomb
Operacion i madh në Krujë, 15 grupe policie zbarkojnë në
Foto ilustruese

Forcat e Policisë së Tiranës dhe Krujës kanë vijuar këtë të mërkurë me aksionin e ndërmarrë për evidentimin dhe asgjësimin e parcelave të mbjella me kanabis në zonat malore të Krujës, duke goditur një nga vatrat më problematike të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni i shtrirë në terrene të vështira dhe zona të thella malore, ka sjellë deri tani zbulimin dhe asgjësimin e rreth 5 mijë rrënjëve kanabis, të kultivuara në afro 100 parcela të ndryshme. Sipas burimeve policore, parcelat ishin të shpërndara në disa pika të izoluara, ku secila prej tyre përmbante nga 50 deri në 100 bimë narkotike.

Aksioni i koordinuar mes strukturave të Policisë së Tiranës dhe Krujës po zhvillohet në kuadër të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, me fokus identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave që qëndrojnë pas kësaj veprimtarie të paligjshme.

Megjithëse deri në këtë fazë të operacionit nuk janë kryer arrestime, hetimet kanë çuar në identifikimin e disa personave që dyshohet se posedonin dhe administronin parcelat me kanabis. Ata janë shpallur në kërkim, ndërsa grupet hetimore po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Në terren janë angazhuar 15 grupe efektivësh policie, të cilët po ushtrojnë kontrolle intensive në të gjithë zonën malore. Burime nga operacioni bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me synim goditjen e çdo rasti të kultivimit të bimëve narkotike dhe çmontimin e rrjeteve që fshihen pas kësaj veprimtarie kriminale.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese