Hapësire reklamuese

Aktualitet

Toka që flet

Shkruar nga Newsbomb

Toka që flet

Nga Ilir Shaholli - Romë 09/06/ 2026

Ekziston një vend në botë ku toka nuk ka qenë kurrë vetëm tokë. E njoh sepse kam lindur atje, sepse këmbët e mia si fëmijë kanë shkelur ata gure të lashtë, atë pluhur ngjyredheri që era e verës e ngre nga shtigjet sikur të donte t'u kujtonte atyre që kalojnë se dikush, para tyre, ka ecur tashmë këtu. Mijëra vjet më parë. Dhjetëra mijëra vjet më parë. Shqipëria është kështu: një palinsest i gjallë, një shtresë mbi tjetrën, çdo qytetërim ka lënë diçka në trupin e tokës pa mundur ta fshijë atë.

Në perëndim, Adriatiku dhe Joni takohen në një përqafim që nuk ka pushuar kurrë së qeni një udhëkryq. Nga ai bregdet kanë ardhur dhe janë nisur grekë, romakë, venecianë, osmanë, normanë. Secili sillte diçka. Secili sillte sigurinë e vet si bartës qytetërimi. Por toka shqiptare i ka thithur të gjithë si sfungjeri qe thith ujin — duke mbajtur thelbin, duke lënë të rrjedhë pjesën tjetër. Në lindje, malet. Jo male të zakonshme: Alpet Shqiptare, majat që në dimër mbyllen në heshtje si një libër i lashtë që askush nuk ka leje ta hapë pa respekt. Midis detit dhe maleve, një popull ka mësuar të jetojë në botë në një mënyrë që Perëndimi modern s’mund ta imagjinojë.

Nuk kami pallate për t'ju treguar. Nuk kami arkiva për të cituar. Nuk kami biblioteka mesjetare ku pergamenat e zverdhura presin të deshifrohen. Shkolla e parë në gjuhën shqipe hapi dyert në Korçë vetëm në vitin 1887 — dje, ne hapësirën e kohës që ky popull banon. Dhe megjithatë gjuha ekziston prej mijëra vjetësh. Mendimi ekziston prej mijëra vjetësh. Urtësia ekziston prej mijëravjetësh. Vetëm se nuk ishte shkruar askund. Jetonte në zëra qe ripërsëriteshin.

Jetonte në zërin e gjyshit tim që tregonte pa u përsëritur kurrë njëlloj, sepse kultura gojore nuk është përsëritje mekanike — është një organizëm i gjallë që merr frymë me atë që e mbart. Jetonte në këngët e rapsodëve, të lahutarëve, që me lahutën me një tel mbanin gjallë kujtimin e heronjve dhe betejave, dashurive dhe tradhtive, marrëveshjeve të shenjta midis njerëzve dhe   midis njerëzve dhe natyrës. Jetonte në fjalët e urta që nëna ime i shqiptonte sikur të lexonte nga një libër i padukshëm, gjithmonë në momentin e duhur, me atë saktësi kirurgjikale që vetëm urtësia e grumbulluar brez pas brezi di qe ta ketë.

Kjo është tradita presokratike e popullit tim.

Kur Talesi i Miletit kërkonte parimin e të gjitha gjërave te uji, kur Herakliti kuptonte se bota është bërë nga zjarri dhe kontradikta e përjetshme, kur Pitagora u transmetonte dishepujve të tij një njohuri që nuk duhej shkruar por jetuar — Shqipëria ishte tashmë atje, në të njëjtin det, duke marrë frymë të njëjtin mendim. Jo nga imitimi, jo nga devimi, por nga ajo bashkëkohësi misterioze që gjeografia ndonjëherë u dhuron popujve që banojnë të njëjtat ujëra. Mendimi që i paraprin shkrimit nuk është mendim inferior. Është mendim që i beson kujtesës njerëzore më shumë se gurit te gdhendur. Është mendimi që beson se e vërteta duhet të kalojë nga goja në gojë, brez pas brezi, sepse vetëm kështu mbetet gjallë — e cenueshme, po, e ndryshueshme, po, por e gjallë.

Shkrimi jeton mbi gurin e gdhendur. Shkrimi behet monument. Shkrimi krijon arkivin por krijon edhe hierarkinë: kush di të lexojë dhe kush jo, kush është i pranuar dhe kush është i përjashtuar.

Kultura gojore shqiptare nuk e njihte këtë përjashtim. I moshuari i fshatit dhe fëmija uleshim pranë të njëjtit zjarr. Dituria i përkiste të gjithëve sepse ishte në ajër, në fjalë, në gjesti i atij që tregonte.

Dhe në atë diturie kishte diçka që dua ta tregoj sidomos sot, në këtë moment të historisë kur bota duket se ka harruar çdo kufi: një raport me tokën që nuk ishte pronësi, por përkatësi e ndërsjellë.

Jo "unë zotëroj këtë tokë" por "unë dhe kjo tokë i përkasim njëri-tjetrit." Jo "ky pyll është imi" por "ky pyll më është besuar, dhe unë ia besoj djalit tim, dhe djali im ia beson të tijt." Gjergj Kastrioti Skënderbeu — njeriu që i rezistoi perandorisë osmane për një çerek shekulli, njeriu që gjithë Europa e krishterë e thirri si mburojë dhe mbrojtës te saj — nuk ka lënë pallat. Nuk ka lënë oborr mbretëror, banesë, shenjë pasurie personale. Ka lënë një rezistencë. Ka lënë një emër të shqiptuar edhe sot me drithërimë dhe krenari. Kjo nuk është rastësi. Kjo është një zgjedhje kulturore e thellë, e depozituar në shekuj ku jeta e qenies vlente më shumë se sa e kamjes  (të pasurit).

Po i shkruaj këto faqe sepse ndjej se diçka thelbësore është duke u humbur. Jo vetëm në Shqipëri —por në të gjithë botën. Logjika e pronësisë, e grumbullimit, e rrethimit dhe e shitjes ka arritur sot një te keqe që nuk fshehet më as pas fjalëve. Shikon një kënetë (lagune) të paprekur, një pasqyrë uji që natyra ka shpenzuar mijëvjeçarë ta ndërtojë, dhe sheh një resort. Shikon një ishull të virgjër dhe sheh një pasuri. Peshku i madh ha peshkun e vogël — e thotë urtësia popullore në çdo cep të botës, dhe e thotë me lodhjen e atij që di se gjithmonë ka qenë kështu. Por ndoshta nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ndoshta ka pasur një kohë, të gjatë dhe të qëndrueshme, kur urtësia e popujve i rezistonte logjikës së më të fortit.

Unë kam lindur në atë kohë. Ose të paktën në kujtesën e saj.

Dhe dua t'jua tregoj.

Selam Musai, Sazani dhe fati i ishujve

Selam Musai ishte një nga simbolet më të larta të qëndresës shqiptare gjatë Luftës se Vlorës. Pas pushtimit italian, i cili kishte filluar në vitin 1914, populli shqiptar u gjend përballë detyrës për të mbrojtur jo vetëm territorin e tij, por edhe dinjitetin dhe të drejtën për të vendosur vetë mbi fatin e vet. Në vitet që vijuan, Traktatet e Tiranës e futën gradualisht Shqipërinë në sferën e ndikimit italian, duke e shndërruar de facto në një protektorat.

Duke reflektuar mbi këtë histori, më vjen natyrshëm ta krahasoj me një tjetër histori mesdhetare: atë të Maltës. Edhe atje, në dekadat e para të shekullit XX, u zhvillua një ndjenjë e fortë kulturore e lidhur me Italinë. Megjithatë, me kalimin e viteve, sundimi britanik forcoi praninë e tij politike dhe ekonomike në ishull. Gjuha angleze u bë gjithnjë e më dominuese dhe fytyra kulturore e Maltës ndryshoi ndjeshëm. Sot ishulli ruan identitetin e vet të veçantë, por mbart ende gjurmët e asaj historie të gjatë ndikimesh dhe transformimesh.

Pikërisht për këtë arsye kam menduar shpesh për dy ishuj që, megjithëse i përkasin realiteteve të ndryshme, duket sikur dialogojnë me njëri-tjetrin përmes kohës: Sazani dhe Malta. I pari i përket Shqipërisë dhe ndodhet në hyrje të Kanalit të Otrantos; i dyti shtrihet në zemër të Mesdheut dhe ka përjetuar për shekuj me radhë kryqëzimin e kulturave dhe fuqive të ndryshme. Të dy tregojnë se fati i ishujve shpesh lidhet me interesat strategjike të aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë.

Figura e Selam Musait vazhdon të më prekë thellësisht. Tashmë në moshë të thyer, sipas traditës popullore, ai u përball me zjarrin armik duke sakrifikuar jetën për të ndalur përparimin e pushtuesve. Me trupin e tij u bë një pengesë njerëzore, duke u lënë të rinjve një shembull të skajshëm guximi dhe dashurie për tokën e trashëguar nga të parët. Ai akt nuk i përket vetëm kujtesës historike; ai vazhdon të flasë edhe sot për brezat e rinj.

Vlora dhe ishulli i Sazanit nuk kanë pasur rëndësi vetëm për Shqipërinë. Pozita e tyre gjeografike i bën ato një nga pikat më të ndjeshme të gjithë Mesdheut. Kush kontrollon Kanalin e Otrantos kontrollon portën e Adriatikut; dhe kush kontrollon Adriatikun ushtron një ndikim të madh mbi lidhjet drejt Jonit dhe Mesdheut Lindor. Pikërisht për këtë arsye këto troje kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen e fuqive të mëdha.

Duke vështruar botën bashkëkohore, nuk mund të mos pyes veten për të ardhmen e këtyre vendeve. Pamjet e luftërave, të shkatërrimeve dhe të popullsive që detyrohen të durojnë vendime të marra larg tyre ngjallin shqetësime të pashmangshme. Në shumë vende të botës po shohim rritjen e projekteve të mëdha turistike dhe imobiliare që rrezikojnë të shndërrojnë territore të pasura me histori dhe identitet në hapësira ekskluzive të destinuara për një elitë të kufizuar ekonomike ndërkombëtare.

Shumë qytetarë shqiptarë i shohin me shqetësim këto perspektiva. Ata druhen se vlera e tokës, e kujtesës dhe e identitetit kombëtar mund t’u nënshtrohet interesave ekonomike që kanë pak lidhje me nevojat e komuniteteve vendase. Protestat dhe reagimet që shfaqen këtë herë tregojnë se një pjesë e shoqërisë është e vetëdijshme për këto dinamika dhe dëshiron të marrë pjesë aktivisht në vendimet që prekin të ardhmen e vendit.

Historia na mëson se ndryshimet kulturore dhe politike ndodhin ngadalë, shpesh gjatë disa brezave. Për këtë arsye krahasimi me Maltën nuk është një parashikim, por një reflektim. Çdo popull ka të drejtë të mendojë për të ardhmen e vet dhe të pyesë veten se çfarë trashëgimie dëshiron t’u lërë fëmijëve të tij.

Ajo që më jep besim është rinia shqiptare. Shoh të rinj të informuar, të hapur ndaj botës, të aftë të kuptojnë proceset e mëdha ndërkombëtare pa hequr dorë nga rrënjët e tyre. Ata zotërojnë mjetet për të dialoguar me Evropën dhe me botën, por edhe ndjeshmërinë e nevojshme për të mbrojtur atë që e bën të veçantë vendin e tyre.

Për këtë arsye vazhdoj të besoj se nga shpirti i popullit shqiptar mund të lindë ende ajo shkëndijë lirie që frymëzoi Selam Musain dhe shumë patriotë të tjerë. Uroj që Shqipëria të dijë të ruajë me mençuri bukurinë e brigjeve, të maleve dhe të ishujve të saj, duke i mbrojtur për brezat që do të vijnë. Jo për ata që zotërojnë më shumë para apo pushtet, por për njerëzit që kanë lindur aty, që jetojnë aty dhe që vazhdojnë ta ndiejnë veten pjesë të një historie të lashtë, të ndërtuar me sakrificë, dinjitet dhe dashuri për tokën e vet.

Kapitalizmi global ka bërë atë që komunizmi nuk arriti ta bëjë — ka blerë jo vetëm burimet materiale, por mendjet, gjuhët, ëndrrat. Dhe tani vepron haptazi, pa turp. Shembulli i Ivanka Trump nuk është një devijim — është dëshmia konkrete e kësaj teze. Një person i lindur në pasuri shikon një lagunë të paprekur dhe sheh një mundësi tregtare. Nuk e sheh natyrën, nuk e sheh historinë, nuk e sheh popullin që jeton pranë saj. Sheh një pasuri.

Njerëzimi i ka dhënë vetes rregulla — të drejtën ndërkombëtare, konventat e UNESCO-s, traktatet mjedisore, Deklaratën Universale të të Drejtave — por ai që është shume i pasur dhe i fuqishëm i shmanget sistematikisht. Dhe gjëja më e rrezikshme nuk është as vetë akti: është normalizimi. Kur diçka e tillë paraqitet si "zhvillim", si "investim", si "mundësi për territorin", vetë gjuha bëhet një instrument zotërues.

Të rinjtë shqiptarë që rezistojnë po bëjnë diçka më të madhe nga sa mendojnë: po thonë se rregullat ekzistojnë dhe duhet të vlejnë për të gjithë. Edhe për ata që kanë paratë të blejnë një ishull.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese