Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 34-vjeçar, i cili dyshohet se tentoi të fuste në Shqipëri një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Kanadaja.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga ka rënë shtetasi Kristian Gjoni, 34 vjeç. Ndërkohë, në gjendje të lirë janë proceduar edhe shtetaset A. Gj., 31 vjeçe, dhe L. Sh., 40 vjeçe.
Gjatë kontrollit të kryer nga policia doganore, u konstatuan dy valixhe brenda të cilave ndodheshin 89 paketime të mbyllura me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, në formën e xhelatinës, me peshë totale rreth 46 kilogramë, me vlerë 250 000 euro.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore, operacioni policor i koduar “Suitcases”.
Goditet një rast tentativë për trafikimin e rreth 46 kg lëndë narkotike cannabis sativa nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Arrestohet 1 shtetas dhe procedohen penalisht 2 shtetase.
Sekuestrohen 89 paketime me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 46 kg, me vlerë tregu rreth 250 000 euro.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, të kryera mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore, finalizuan operacionin policor të koduar “Suitcases”, duke goditur një rast të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Gjatë operacionit u konstatuan dy valixhe, brenda të cilave ndodheshin 89 paketime të mbyllura me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, në formën e xhelatinës, me peshë totale rreth 46 kilogramë, me vlerë tregu rreth 250 000 euro.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë K. Gj., 34 vjeç, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë A. Gj., 31 vjeçe, dhe L. Sh., 40 vjeçe.
Vijojnë hetimet, me përdorimin e metodave speciale të hetimit, për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
