Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar pas marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme. Në një konferencë për shtyp, ai tha se Irani nuk do të lejohet kurrë të ketë armë bërthamore.
“Me marrëveshje apo pa marrëveshje, Irani nuk do të ketë armë bërthamore as sot, as nesër. Sa kohë që unë jam kryeministër, kjo nuk do të ndodhë.”, tha Netanyahu.
Ai theksoi se operacioni ushtarak i Izraelit ka shkatërruar udhëheqjen e regjimit iranian, objektet bërthamore, fabrikat e raketave, si dhe marinën dhe forcat ajrore të Iranit. Sipas tij, ekonomia iraniane ka pësuar një dëm deri në 1 trilion dollarë.
Netanyahu tha se ushtria izraelite do të vazhdojë të qëndrojë në Gaza, Liban dhe Siri, si dhe të kryejë operacione në Jemen e Bregun Perëndimor. Ai njoftoi gjithashtu një buxhet shtesë prej 350 miliardë shekelë (rreth 88 miliardë euro) për mbrojtjen, që do të përdoret për zhvillimin e teknologjive të reja dhe forcimin e sigurisë së vendit.
