Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se Teherani dhe Uashingtoni duhet të shkojnë përtej “kësaj gjendjeje as lufte as paqeje”. Sipas tij, edhe ish-Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei “ka theksuar vazhdimisht se çështja ‘as luftë, as paqe’ duhet të zgjidhej”, duke sugjeruar se e vetmja mënyrë për të kaluar fazën aktuale është negociata.
“Nëse duam të dalim nga kjo gjendje as lufte as paqeje, çfarë duhet të bëjmë? Nëse nuk angazhohemi në dialog, atëherë cila është alternativa?” tha Pezeshkian. “Mbi këtë bazë, Udhëheqësi lejoi që bisedimet të vazhdonin dhe në fazat e fundit udhëzimi i tij ishte: ‘Shkoni dhe zgjidheni çështjen’.”
Që nga armëpushimi SHBA-Iran më 8 prill, Teherani ka akuzuar vazhdimisht Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për prishjen e armëpushimit përmes veprimeve ushtarake.
SHBA-të kanë kryer sulme ndaj objektivave iraniane edhe pse negociatat indirekte kanë vazhduar. Ndërkohë, Izraeli ka nisur mijëra sulme në Liban, pavarësisht kufizimeve të vendosura nga armëpushimi.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë vazhdimisht se është afër një marrëveshjeje me Iranin, megjithatë ka pasur pak shenja që tregojnë përparim në negociata.
Një delegacion nga Katari udhëtoi për në Teheran të mërkurën në mëngjes për t'u takuar me negociatorët iranianë në një përpjekje për të kapërcyer boshllëqet e mbetura në një marrëveshje të mundshme me Shtetet e Bashkuara, tha për CNN një burim diplomatik me njohuri për çështjen.
“Pas konsultimeve me SHBA-në, negociatorët e Katarit udhëtuan për në Teheran këtë mëngjes për t'u takuar me iranianët në një përpjekje për të kapërcyer boshllëqet e mbetura”, shtoi burimi.
Vizita sinjalizon se diplomacia mbetet aktive pavarësisht shkëmbimit të zjarrit midis Iranit dhe SHBA-së gjatë natës, në një nga provat më të mëdha deri më tani për armëpushimin.
