Një ish-pilot i Air Canada po përballet me akuza të rënda penale në Kanada, pasi autoritetet pretendojnë se ai ka transportuar dhjetëra mijëra pasagjerë për afro 17 vjet duke përdorur dokumente të falsifikuara për kualifikimet e tij.
Sipas autoriteteve kanadeze, Jeffrey Wall u arrestua më 1 qershor pas një hetimi që zbuloi se ai kishte kryer mbi 900 fluturime vendase dhe ndërkombëtare mes viteve 2009 dhe 2025, pa zotëruar licencën e nevojshme për të ushtruar detyrën e kapitenit dhe pa përfunduar provimet e detyrueshme për këtë pozicion.
Zëvendësshefi i Policisë Rajonale të Peel Nick Milinovic e cilësoi rastin si “një skenar filmi”, duke theksuar se Wall arriti të ngjitej në postin e kapitenit dhe të pilotonte avionë Boeing 767, 777 dhe 787 për gati dy dekada. Sipas hetuesve, të ardhurat e tij gjatë kësaj periudhe kapën vlerën e rreth 2 milionë dollarëve.
Rasti ka sjellë ndër mend filmin e njohur Catch Me If You Can, ku personazhi kryesor arrin të paraqitet si pilot pa pasur kualifikimet përkatëse.
Megjithatë, policia sqaroi se Wall kishte një licencë të vlefshme piloti komercial gjatë karrierës së tij 27-vjeçare në Air Canada. Problemi, sipas autoriteteve, qëndron te fakti se ai nuk kishte marrë kurrë Licencën e Transportit Ajror për Aeroplanë (ATPL-A), një kërkesë e domosdoshme për t’u emëruar kapiten në vitin 2009.
“Është si një mjek i përgjithshëm që kryen operacione në tru pa certifikimet e nevojshme”, deklaroi Milinovic, duke nënvizuar rëndësinë e standardeve dhe licencimeve shtesë në garantimin e sigurisë ajrore.
Hetimi nisi pasi në vitin 2025 gjatë një verifikimi të dokumentacionit, Air Canada njoftoi autoritetet për dyshimet mbi kualifikimet e pilotit. Wall u largua nga kompania po atë vit, ndërsa më pas u hap hetimi penal i koduar “Projekti Icarus”.
Në reagimin e saj Air Canada theksoi se ish-piloti kishte demonstruar vazhdimisht aftësi për të operuar në mënyrë të sigurt avionë të mëdhenj dhe se siguria e fluturimeve nuk ishte komprometuar. Kompania kujtoi se pilotët i nënshtrohen trajnimeve dhe vlerësimeve të detyrueshme çdo gjashtë muaj, si dhe kontrolleve vjetore nga ekzaminues të certifikuar të Transport Canada.
Megjithatë, kompania nënvizoi se respektimi i kërkesave të licencimit mbetet një element thelbësor i sistemit të sigurisë së aviacionit dhe se e konsideron rastin jashtëzakonisht serioz.
Sipas policisë, Wall është gjobitur nga Transport Canada dhe përballet me shtatë akuza penale, përfshirë mashtrim mbi 5 mijë dollarë, përdorim dokumentesh të falsifikuara dhe posedim të shenjave certifikuese të falsifikuara. Seanca e tij e parë gjyqësore është caktuar të mbahet më 29 qershor.
