Policia kanadeze ka arrestuar një ish-pilot në Kanada i cili për 17 vjet radhazi fluturoi me patentë të falsifikuar. Jeffrey Wall kishte kryer më shumë se 900 fluturime vendase dhe ndërkombëtare nga viti 2009 deri në vitin 2025 pa pasur kurrë një licencë dhe pa përfunduar studimet.
“Ky rast dhe detajet e tij janë si një skenar filmi. Wall u ngrit në pozicionin e kapitenit, ku për gati 17 vjet ai fluturoi me Boeing 767, 777 dhe 787”, duke fituar më shumë se 2 milionë dollarë nga puna e tij. Historia të kujto filmin e vitit 2002 “Catch Me If You Can”, ku protagonisti luajti rolin e një piloti të PanAm për vite me radhë." tha zëvendësshefi i Policisë Rajonale të Peel, Nick Milinovic, në një konferencë për shtyp në Ontario.
Në këtë rast, Wall mbante një licencë piloti komercial gjatë gjithë karrierës së tij 27-vjeçare me Air Canada, por sipas policisë, ai kurrë nuk mbante një Licencë Piloti të Linjës Ajrore (ATPL-A), e cila kërkohej për gradën e kapitenit, në të cilën ai u gradua në vitin 2009.
“Kjo është analoge me një mjek që ka licencë për të ushtruar mjekësinë familjare, por kryen operacione në tru në zyrën e tij. Ekzistojnë kërkesa dhe rregullore shtesë për titujt profesionalë që ekzistojnë për një arsye. Ne besojmë se i pandehuri i ka paraqitur në mënyrë të rreme kualifikimet e tij si punëdhënësit ashtu edhe autoritetit rregullator përkatës”, tha Milinoviç.
Wall u identifikua pas një kontrolli rutinë të certifikatave të tij në vitin 2025, i cili zbuloi “parregullsi në dokumentet e licencës së tij të pilotit” dhe Air Canada njoftoi rregullatorët.
Jeffrey Wall përballet me shtatë akuza penale dhe me gjobë nga rregullatori i transportit të Kanadasë. Ai do të paraqitet në gjykatë më 29 qershor të këtij viti.
