Hapësire reklamuese

Politikë

10,3 miliardë lekë shtesë ose sa 2.6% e PBB-së, Qeveria miraton financimin më të madh ndonjëherë për Ushtrinë! Edi Rama shkon i përgatitur në Samitin e NATO-s në Ankara

Shkruar nga Newsbomb
10,3 miliardë lekë shtesë ose sa 2.6% e PBB-së, Qeveria
FotoArkive: Kryeministri Edi Rama

Qeveria Shqiptare ka miratuar në mbledhjen e sotme një financim shtesë prej 10.3 miliardë lekë në fushën e mbrojtjes, ose sa 2.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke siguruar mbështetjen më të madhe ndonjëherë në historinë e Forcave të Armatosura.

Lajmin e ka dhënë ministri Petrit Malaj, ndërsa më vonë e ka konfirmuar edhe kryeministri Edi Rama në rrjetet e tij sociale.

"Do të përmbushim të gjitha angazhimet  që kemi me NATO-n, për sektorin e mbrojtjes do të alokohen 10.3 miliardë lekë shtesë, duke garantuar që financimi i mbrojtjes të shkojë në nivelin 2.6% të prodhimit të brendshëm bruto në përputhje me objektivat dhe nevojat e ushtrisë shqiptare", tha Malaj.

Menjëherë pas tij, reagoi edhe kreu i qeverisë, i cili mesa duket do të shkojë i qetë në Samitin e NATO-s në Ankara, i cili do të mbahet në datat 7-8 korrik në Ankara, raporton newsbomb.al.

Edi Rama do të jetë mes liderëve të vendeve anëtare të Aleancës Ushtarake më të madhe të globit, duke "blinduar" pozitat e Shqipërisë, si një kontributore e rëndësishme e cila tejkalon 2% të prodhimit të brendshëm bruto në fushën e mbrojtjes.

Gjithashtu, Qeveria shqiptare po bën gjithçka që vendet anëtare të NATO-s të mos kenë asnjë argument kundër Shqipërisë, që samiti i vitit të ardhshëm të mbahet në Tiranë, ashtu siç është paralajmëruar më parë.

Në vitin 2027, Shqipëria do të presë samitin e NATO-s, ku pjesëmarrës do të jetë edhe Presidenti amerikan Donald Trump.

Përgatitjet për këtë samit kanë nisur, ndërsa kryeministri Edi Rama po siguron çdo aspekt të mundshëm që në javën e ardhshme në Ankara të marrë konfirmimin për Samitin e Tiranës, raporton newsbomb.al.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese