Një ditë pasi Ilir Meta vendosi që t’i jepte fund bashkëpunimit mes tyre, avokati Kujtim Cakrani ka deklaruar se priste çdo gjë, përveçse të akuzohej për patronazhist nga ish-Presidenti Ilir Meta.
Gjatë një interviste televizive në A2CNN, Cakrani ka zbuluar se Meta është mërzitur me të, pasi është avokati i familjes së Artur Shehu, i cili është një nga pronarët e zonës në Zvërnec ku do të bëhej investimi 4 miliardë euro.
Ndërsa sa i përket pretedimeve të Metës së donte një avokat me kohë të plotë, Cakrani tha se nuk mund të jetë i askujt, pasi nuk është sllav.
Cakrani: Jam akuzuar për patronazhist. Ky është perceptimi i zotit Meta. Besoj e dini që unë jam opozitar dhe nuk ka shanse, nuk ndodh dhe nuk e beson njeri këtë që ka thënë zoti Meta, që unë jam patronazhist. Realisht, nuk e beson njeri.
Domethënë, kjo i kthehet në bumerang për ata që njohin mua dhe familjen time. Kështu që, përsa i përket Zvërnecit, unë jam avokat i familjes Shehu dhe normalisht unë jam avokat që punoj.
Zoti Meta mua mbase më ka dashur me kohë të plotë, por me kohë të plotë unë nuk mund të jem avokat i askujt sepse nuk jam skllav. Unë jam avokat dhe bëj një punë që duhet ta bëj dhe kështu që kur paguhet një avokat me kohë të plotë, kur merret një avokat me kohë të plotë, ka dhe disa kushte të tjera.
Besoj se nuk i ka mbetur gjë nga mbrojtja zotit Meta. Megjithëse ka merak edhe Zvërnecin dhe kjo nuk ka lidhje me Zvërnecin. Unë e kam mbrojtur familjen Shehu dhe do ta mbroj jo vetëm si klient që e kam, por kam edhe lidhje të tjera. Jam nip në Kaninë nga mamaja dhe kam lidhje familjare me ta. Kështu që, nuk ka lidhje fare as për protestat, as për historira të kësaj natyre.
