Lideri demokrat Sali Berisha dënon dhunën e ushtruar nga punonjësit e Policisë së Shtetit, gjatë tubimit qytetar sot përpara Parlamentit, ku një i ri është tërhequr zvarrë nga të paktën katër efektivë.
"Egërsi shtazore", shkruan Sali Berisha, duke theksuar se dhuna ndaj protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për të heshtur zërin e tyre, janë shenja të qarta të arrogancës së pushtetit dhe të një regjimi që po humbet legjitimitetin në sytë e qytetarëve.
"Kërkoj lirimin e tyre të menjëhershëm", shkruan lideri demokrat.
"Dënoj me ashpërsinë më të madhe dhunën dhe arrogancën e Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që protestojnë. Është e papranueshme që, ndërsa në Parlament shërbëtorët e Edi Ramës përpiqen të zhvlerësojnë protestën madhështore të shqiptarëve, në rrugë dërgojnë policinë për t'i dhunuar ata që kërkojnë të dëgjohen.
Kur një qeveri nuk i përgjigjet qytetarëve me argumente, por me forcë, ajo tregon frikë, jo fuqi. Dhuna ndaj protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për të heshtur zërin e tyre janë shenja të qarta të arrogancës së pushtetit dhe të një regjimi që po humbet legjitimitetin në sytë e qytetarëve", thotë Sali Berisha.
