Ditën e djeshme Partia Demokratike zhvilloi votimin për zgjedhjen e disa posteve kryesore drejtuese të partisë. Mes emrave të listës së të ashtuquajturës “ripërtëritje” nga demokratët, gara për sekretarin për të përndjekurit politikë në PD u fitua nga Shkëlqim Lepenica, i cili mori 55 vota më shumë se ish-deputeti dhe ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Lorenc Luka.
Mirëpo gjatë konferencës së sotme për shtyp, teksa po vlerësonte kandidatët që ishin në garë, Sali Berisha dëshmoi me gojën e vet një “gafë” të zyrtarëve që administruan procesin zgjedhor.
Ka qenë Lorenc Luka ai i cili sipas deklaratës së bërë sot nga kreu demokrat, kishte kërkuar përmes një mesazhi që të mos ishte pjesë e garës. Por mesazhi i tij, siç duket dhe ashti siç u pohua nga Berisha, nuk ishte lexuar në kohë. Vetë lideri demokrat i kërkoi ndjesë publike ish-deputetit.
“Kam një ndjesë publike për Lorenc Lukën, i cili ka dërguar një mesazh me të cilin informon se nuk dëshiron të kandidojë, por mesazhi është lexuar me vonesë. Unë, duke shprehur konsideratën më të lartë, për të gjithë kontributet e tij e gjej të domosdoshme t’i kërkoj ndjesë për vendosjen e tij në listë për shkak të leximit me vonesë të mesazhit që kishte dërguar”, tha Berisha.

