Deputetja Elisa Spiropali njoftoi sot nga ambientet jashtë Kuvendit se ka mbajtur premtimin e saj dhe ka dorëzuar në Asamblenë e Partisë Socialiste mocionin për hapjen e partisë.
“Nga ana ime premtimi u mbajt dhe ju përgjigja thirrjes së kryetarit”, deklaroi Spiropali, duke iu referuar angazhimit të saj për procesin e diskutimit dhe hapjes brenda strukturave socialiste.
Por, përtej këtij zhvillimi gjatë ditës kanë qarkulluar edhe lajme të tjera që lidhen me veprimet dhe lëvizjet e deputetes socialiste. Sipas zërave që qarkullojnë lart e poshtë, Spiropali ka “nisur punën”, jashtë zyrave qeveritare dhe strukturave të Partisë Socialiste.
Sipas këtyre pretendimeve, ish-ministrja prej disa javësh ka marrë me qira një ambient në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Në katet e sipërme të ndërtesës, thuhet se është ngritur një zyrë ku gjatë javëve të fundit, janë parë të hyjnë dhe të dalin disa ish-ministra të qeverisë Rama, të cilët aktualisht janë pjesë e grupit parlamentar socialist.
Pas një periudhe më shumë se 10-vjeçare në funksione të rëndësishme brenda administratës dhe strukturave drejtuese të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali prej muajsh ka mbajtur qëndrime kritike. Reagimet publike, shkrimet e saj të gjata në rrjetet sociale, madje edhe përplasjet me vetë kryeministrin Edi Rama, kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh lidhur me “jetgjatësinë” e saj politike brenda të majtës shqiptare.
Teksa vetë deputetja ka artikuluar nevojën për më shumë hapje, debat dhe reflektim brenda Partisë Socialiste, zhvillimet e fundit rreth saj kanë nxitur aludime se vallë mos kemi të bëjmë me ndonjë “kryengritje”, apo thjesht socialistes i duhej një tjetër zyrë punë!

