Hapësire reklamuese

Politikë

Kryetarja e Degës 2 mesazh për zgjedhjet në PD: E njoh Belindin dhe nuk e uroj dot, s'duhet të kishte garuar me Luçiano Boçin, por Flamur Nokën! Aty ishte prova e një lideri në ngjitje

Shkruar nga Newsbomb
Kryetarja e Degës 2 mesazh për zgjedhjet në PD: E njoh Belindin
Irma Marku dhe Belind Kelliçi

Irma Marku, kryetare e Degës nr.2 të Partisë Demokratike në Tiranë, ka reaguar për zgjedhjet në forcën politike ku aderon dhe thotë se pavarësisht se e njeh Belind Këlliçin dhe ka qenë bashkudhëtare me të në shumë sfida të partisë më të madhe opozitare, nuk e uron dot për postin e ri.

Në zgjedhjet e djeshme, ai garoi përballë Luçiano Boçit dhe mori votat e demokratëve për të qenë nënkryetari i ri i tyre.

"E njoha nga afër Belind Këlliçin, në ditët më vibrante të historisë së PD-së. Në kohën kur, në sytë e shumëkujt, Partia Demokratike po jetonte agoninë e saj të fundit, për ne që ishim pjesë e antitrupave imunitarë të saj, ajo ethe e lartë ishte shenjë jete.

Belindi ishte një i ri i formuar, energjik dhe bashkëpunues. Fitues dhe motivues në shumë sfida të mëhershme, ai mbajti mbi supe peshën e Kuvendit më të rëndësishëm të demokratëve, 11 Dhjetorin e 2021-it.

Shumë shpejt u pa si një pasues i denjë, i pranueshëm nga të gjithë dhe, në rrethana normale, i destinuar të merrte votën e demokratëve.

Vinim nga trauma e rëndë e pranimit të një figure si Lulzim Basha, shpesh kundër instinktit politik të demokratëve. Belindit i duhej vetëm kohë, të forconte fibrën ideologjike, të piqej politikisht dhe të rritej bashkë me përgjegjësinë që e priste", shkruan Irma Marku.

Kryetarja e Degës nr.2 në Tiranë, thekson se dje, Belind Këlliçi ka bërë zgjedhjen e gabuar duke garuar përballë një intelektuali si Luçiano Boçi, i cili sipas Irma Markut, është një nga figurat më përfaqësuese të asaj partie. Dhe sipas saj, një garë e tillë nuk mund ta zvogëlonte Luçianon dhe nuk mund ta zmadhonte Belindin.

Irma Marku shton se si një lider në ngjitje, Belindi duhet të kishte garuar përballë Flamur Nokës, për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, sepse ai është vendi ku një brez i ri mund të kërkonte hapësirën e vet.

"Belindi duhej të kishte zgjedhur një tjetër betejë, atë për postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Aty ishte prova e një lideri në ngjitje. Aty ishte vendi ku një brez i ri mund të kërkonte hapësirën e vet. Aty ishte sfida që do ta rriste, pavarësisht rezultatit.

Sepse në politikë ka humbje që të rrisin dhe fitore që të zvogëlojnë. Dje fitoi Flamur Noka dhe humbi Belind Këlliçi.

Përtej ovacioneve me frena dore të Doktorit dhe entuziazmit ceremonial, kjo nuk është thjesht stanjacion apo pezulli. Është simptomë e një organizmi politik që ka filluar të ngatërrojë qetësinë me shëndetin.

Për këtë arsye nuk mundem ta uroj Belindin, as katër-pesë emrat e tjerë "fitues" ndër ujin pa kripëra të ditës së djeshme. P.S. Unë dhe Doktori e dimë mirë se çfarë i ndodh një trupi që nuk bën temperaturë kur e ka pushtuar infeksioni", përmbyll ajo.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese