Hapësire reklamuese

Politikë

Deputeti socialist flet te “Ligjet” si miku i Aleks Nikës, pyet direkt në sy kreun e SPAK: Kanë kaluar 16 vite, kur do vendosni drejtësi për 21 Janarin?

Shkruar nga Newsbomb
Deputeti socialist flet te “Ligjet” si miku i Aleks Nikës, pyet
Pacaj-Aleks Nika dhe Braho

Deputeti i Partisë Socialiste Ermal Pacaj ka ngritur në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve çështjen e pazgjidhur të ngjarjeve të 21 Janarit, duke pyetur direkt kreun e SPAK, Klodian Brahon: “Se kur do të ketë drejtësi për katër protestuesit e vrarë në bulevardin Dëshmorët e Kombit?”.

Gjatë fjalës së tij Pacaj, përveçse si deputet i Lezhës, por edhe si mik i një prej viktimave, Aleks Nikës, solli shqetësimin e familjarëve të këtij të fundit mbi rolin e prokurorit të çështjes, Alfred Shehu, duke shprehur shqetësimin për mënyrën e trajtimit të dosjes në vite dhe përfshirjen e tij të mëparshme në vlerësime juridike mbi kompetencën hetimore të SPAK-ut.

“Jemi thuajse 16 vite pas vrasjes shtetërore që pret akoma drejtësi të 21 Janarit, ku katër protestues u vranë mes ditës. Ngjarja nuk po zbardhet. Organizatorët, urdhëruesit, por edhe ekzekutuesit po sfidojnë njësoj drejtësinë e re. E kuptoj tërësisht mbrojtjen dhe integritetin e hetimit, por duhet të theksoj se Gjykata e Strasburgut e cilësoi këtë çështje si vrasje shtetërore. Unë, si përfaqësues i qarkut të Lezhës, normalisht edhe me ndjeshmërinë se i ndjeri Aleks Nika ka qenë miku im, dua të përcjell atë çka familjarët e shohin si shqetësim.

E para, për faktin se i njëjti prokuror, zoti Shehu, i cili disponon sot çështjen, është i njëjti prokuror i cili e ka kundërshtuar në Kolegjin Penal se kjo çështje duhet të hetohet nga SPAK, dhe kjo bindje e tij juridike mendoj se është një konflikt interesi që kjo çështje të hetohet nga i njëjti prokuror. Të shmanget prokurori, i cili është një njohës i mirë i çështjes dhe e ka cilësuar akuzën si vrasje me dashje, zoti Dumani. Ndërkohë që drejtësia pret, gruaja dhe fëmijët e Aleks Nikës presin. A do të kemi drejtësi për 21 Janarin, në mënyrë që të paktën nëna dhe babai ta shohin drejtësinë për djalin e vet, për sa kohë janë gjallë?”, tha ai, ndërkohë që kreu i SPAK, Klodian Braho preferoi që të qëndronte i tërhequr, duke deklaruar se çështja ndodhet ende në fazën e hetimit dhe se çdo koment mbi detajet e dosjes do të cenonte procesin.

Ai shtoi se pretendimet e palëve duhet të adresohen përmes kanaleve zyrtare të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale, duke theksuar se institucioni vijon punën pa u ndalur në këtë dosje.

“Ajo çfarë mund të them është se është një çështje në hetim dhe hetimet vazhdojnë. Nuk kam asnjë koment tjetër. Nuk e zgjidhim dot në këtë seancë gjyqësore këtë çështje dhe pretendime. Nëse palët kanë pretendime të tilla, duhet t'i drejtohen SPAK-ut dhe të marrin përgjigje, siç e parashikon Kodi i Procedurës Penale”, tha Braho.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese