Hapësire reklamuese

Politikë

"Të zgjatet mandati i prokurorëve të SPAK", PS propozon ndryshimin e Kushtetutës, deputetët e opozitës kundër: Venecia ka thënë ndryshe, ju votuat "qorrazi"

Shkruar nga Newsbomb
"Të zgjatet mandati i prokurorëve të SPAK", PS propozon
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja

Kreu i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Ulsi Manja ka mbështetur kërkesën e Klodjan Brahos për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK. Si drejtues i organit më të lartë të akuzës në vend, Braho tha se prokurorët duhet të kenë të drejtë rizgjedhje, pas 9 vitesh në detyrë.

Ulsi Manja ka shprehur dakordësinë me propozimin e kryeprokurorit Klodjan Braho dhe ka thënë se socialistët janë të gatshëm të ndërmarrin ndryshimet e nevojshme kushtetuese, për mundësinë e rikandidimit të prokurorëve për një mandat të dytë.

Manja u shpreh se është i gatshëm të iniciojë ndryshime kushtetuese që lidhen me zgjatjen apo rikandidimin e prokurorëve, teksa deputetët e opozitës, Bylykbashi dhe Strazimiri e kundërshtuan ashpër, duke thënë se e kanë votuar “qorrazi” ligjin aktual.

"SPAK është organ kushtetues, ka jetëgjatësi si institucion. Pasi prokurorët akumulojnë gjithë këtë eksperiencë, i thuhet të largohen dhe nuk u lejohet të rikandidojë. Kush dëshiron të rikandidojë, duhet t’i shtrohet një procesi vlerësimi për tu rizgjedhur. Ndaj unë u kërkoj edhe kolegëve të opozitës, sepse kjo kërkon edhe inciativë politike. Ka kushtëzime edhe sa i përket privatësisë suaj.

Personalisht ndaj këtë mendim, ju duhet të keni të drejtën të kandidoni për një mandat të dytë në KLP si të gjithë prokurorët e tjerë të sistemit. Përkohshmëria e prokurorëve e cënon cilësinë e hetimit. Bashkojmë votat, ndryshojmë kushtetutën dhe të heqim kufizimin për mandatin. Bashkë e kemi votuar ligjin aktual, 140 vota. Ti thua jam kundër zgjatjes së mandatit", u shpreh socialist Ulsi Manja.

Megjithatë, kërkesa e tij u kundërshtua nga demokratët Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri, të cilët i thanë se kur ishte votuar ligji aktual në Kuvend, Manja dhe të tjerët kishin votuar "me sy mbyllur" duke mos lexuar parashikimet e tij.

Bylykbashi: Ka qenë një deputet këtu që e votoj me sy mbyllur, edhe ti e ke votuar me sy mbyllur këtë ligj.

Manja: Ti ke votuar me sy mbyllur ligjin e dekriminalizimit. Shkruajte nesër në mëngjes, pasi na mblodhe në darke. Të duket i varur institucioni i SPAK.

Strazimiri: Ju thoni mbaroi mandati dhe për shkak të dosjeve që kanë mbetur të ndryshojmë kushtetutën.

Manja: E drejta për të rikandiduar është e drejtë kushtetuese.

Bylykbashi: Ligji aktual nuk thotë kështu.

Manja: Hajde ta ndryshojmë.

Bylykbashi: Komisioni i Venecias ka thënë ndryshe.

Manja: Po, por Komisioni i Venecias sugjerime jep. Gjërat nuk janë të shkruara në gur dhe nuk ndryshojnë.

Bylykbashi: Unë kam ndenjur shumë ditë pa gjumë për atë ligj.

Manja: Ishte i nevojshëm ky debat, sepse doja të kuptoja qasjen e këtyre, sepse pas kamerave shprehen ndryshe.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese