Gazetari Shpend Gashi, i cili gjatë podcast-it të tij, në janar të vitit 2025, i tha kryedemokratit Sali Berisha se e kishte idhull, gjatë protestës së një dite më parë i ka kërkuar dorëheqjen.
Teksa shfaqet në shkallët e Kryeministrisë përkrah aktivistit Edison Lika, Gashi i kërkon Berishës të japë dorëheqjen dhe të futet në gërmat e arta të historisë së vendit.
Sipas gazetarit, dorëheqja e Berishës do të ishte një goditje e madhe për kryeministrin Edi Rama dhe do t'i shtonte presionin ndaj tij.
"Jam këtu te Kryeministria me mikun dhe ish-studentin tim, Edison Likën. Tani kemi një thirrje për Sali Berishën. Ti, i dashur, do që të hysh në gërmat e arta të historisë dhe të na ndihmosh. Meqë ke thënë që e mbështet protestën, bëje aktin fisnik të dorëheqjes dhe i shton presionin me 500 pikë Edi Ramës", u shpreh Gashi.
Gjatë podcast-it të tij "Tru Podcast", ku i ftuar ishte Sali Berisha, Shpend Gashi tha se e kishte idhull kreun e PD-së, ndërsa nuk i kurseu as elozhet ndaj tij.
"Më bëhet shumë qejfi që ke ardhur, ma ke zmadhuar këtë zyrën e vogël. Ti je Sali Berisha, je dikushi, në fakt je shumëkushi. Një nga pjesët që vlerësoj më së shumti te ti është fisnikëria e gërshetuar me trimëri dhe ju i keni të dyja. Je idhulli im", iu drejtua gazetari Berishës gjatë podcast-it të tij.
Këto deklarata të Gashit u rikthyen në vëmendje gjatë protestave të javëve të fundit, pasi u publikuan nga kryeministri Edi Rama, i cili nuk ngurroi ta quante gazetarin si "njeri" të Berishës.
