Hapësire reklamuese

Politikë

Sot, një vit që la qelinë! Nga minutat e para të lirisë, te “divorci” me Sali Berishën, si kanë qenë këto 12 muaj për Ervin Salinjin

Shkruar nga Newsbomb
Sot, një vit që la qelinë! Nga minutat e para të
Ervin Salianji kur doli nga qelia dhe vizita ne selinë blu, 8 korrik 2025

Sot, 8 korrik shënohet një vit nga dita kur ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, la qelinë e burgut. Menjëherë pas daljes nga ambientet e burgut të Fierit Salianji iu drejtua selisë blu, ku u prit nga mbështetës dhe figura të Partisë Demokratike.

Por, një vit më pas, shumëçka ka ndryshuar. Përveç zhvillimeve të reja politike brenda opozitës, ish-deputeti tashmë nuk lejohet të hyjë në ambientet e selisë së Partisë Demokratike, një realitet i ndryshëm nga ajo ditë e nxehtë korriku kur rikthehej në selinë e forcës politike ku kishte qenë pjesë për vite me radhë.

E një vit nga fundi i “burgimit të tij politik”, ashtu sikurse ish-deputeti e cilëson, por edhe gjashtë rezolutat ndërkombëtare, Salianji ka ardhur me një reagim në rrjetet sociale. Ai i ka mëshuar bindjeve të tij politike, duke theksuar kështu se qëndrimet e tij nuk kanë ndryshuar dhe se vendi ynë ka nevojë për institucione që respektojnë ligjin, politikë që pranon mendimin ndryshe dhe për qytetarë që kërkojnë më shumë demokraci.

“Një vit më vonë, bindja ime është edhe më e fortë: pengesat mund ta vonojnë rrugën, por nuk e ndryshojnë drejtimin”, thekson ai teksa ka shpërndarë dhe foto të ndryshme, qysh nga dita e parë kur dhe doli nga burgu, vizita në seli dhe takimet me demokratë të ndryshëm pas "divorcit" të tij me Berishën.

Reagimi i plotë i Salianjit:

Sot, një vit liri.

Një vit më parë mori fund sprova e burgosjes politike. E sanksionuar si e tillë nga 6 rezoluta ndërkombëtare! Pushteti mund të shtrëngojë, mund të kufizojë përkohësisht lirinë e një njeriu, por nuk mund të burgosë kurrë bindjet, të vërtetën dhe idealet që ai ka.

Përherë kam zgjedhur të mos ndryshoj bindjet për t’iu përshtatur rrethanave. Sepse liria nuk është privilegj që të jepet nga pushteti; është e drejtë që mbrohet çdo ditë.

Shqipëria ka nevojë për institucione që respektojnë ligjin, për politikë që pranon mendimin ndryshe dhe për qytetarë që nuk heqin dorë nga e drejta për të kërkuar më shumë demokraci, më shumë drejtësi dhe më shumë llogaridhënie.

Një vit më vonë, bindja ime është edhe më e fortë: pengesat mund ta vonojnë rrugën, por nuk e ndryshojnë drejtimin.

Mirënjohje për mbështetjen e jashtëzakonshme.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike u arrestua në Shtator 2024 dhe qëndroi 9 muaj prapa hekurave, ndaj kërkoi që dënimi i tij 1 vjeçar me burg të përfundonte para kohe dhe që 3 muajt e mbetura të dënimit t’i kalonte në “shërbim prove”.

Ervin Salianji u arrestua pasi u shpall fajtor për “kallëzim të rremë” në lidhje me dosjen “Babale”. Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me 1 vit burg deputetin Ervin Salianji për dosjen "Babale" dhe vendimi është apeluar prej tij në Apel.

Vite më parë, Ervin Salianji denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj duke thënë se edhe përse ishte i dënuar me 7 vite burg në Itali, prej disa vitesh jetonte i lirë në Shqipëri falë mbështetjes së të vëllait politikan.

Gjatë asaj kohe, gazetari Jetmir Olldashi publikoi një video ku i ashtuquajturi “Babale” u paraqit si drejtues i skafit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm.

Pas publikimit të këtij rasti u hap një hetim penal me kallëzimin e Geron Xhafaj dhe në përfundim rezultoi se video ishte e montuar. Deputeti Ervin Salianji u dënua me një vit burg për "kallëzim të rremë".

Ai u lirua në 8 korri ktë vitit të kaluar, ndërkohë që marrëdhëniet e tij me Sali Berishën u shkëputën. Ky i fundit e ka akuzuar publikisht për lidhje me krimin, ndërkohë që ka theksuar se Salianji është vetëpërjashtuar nga partia.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese