Pas letrës së hapur të publikuar mëngjesin e kësaj të marte nga kryeministri Edi Rama për protestuesin i cili u zgjua poshtë zyrës së tij në shenjë rezistencë, ka ardhur edhe reagimi i një prej protestuesve.
Rama publikoi fotografinë e protestuesit të ulur i vetëm përpara godinës së Kryeministrisë, duke deklaruar se nuk e shihte si “humbësin e një proteste”, por si një qytetar që kishte mbetur besnik bindjeve të tij. Në letrën e gjatë, kryeministri shprehej se e kuptonte hallin dhe zemërimin e tij për padrejtësitë, korrupsionin, problemet me pronat, shëndetësinë dhe arrogancën e pushtetit.
Por protestuesi i është përgjigjur drejtpërdrejt Ramës pikërisht në postimin e tij, duke ngritur një pyetje thelbësore ndaj kreut të qeverisë.
“Nuk më zemëron fakti që nuk më kupton. Më zemëron fakti që më kupton shumë mirë”, shkruan ai, duke theksuar se kryeministri në letër përshkruan me saktësi të gjitha problemet që rëndojnë jetën e qytetarëve.
Sipas protestuesit, pikërisht njohja e këtyre problemeve e bën edhe më të fortë pyetjen drejtuar Ramës: “Nëse e njeh kaq mirë hallin tim, çfarë të pengoi ta zgjidhje gjatë gjithë këtyre viteve?”
Ai mohon të jetë pjesë e lojërave politike apo i përdorur nga opozita, duke theksuar se protesta e tij është një përpjekje për t’u dëgjuar nga një shtet që sipas tij ende nuk funksionon siç duhet për qytetarët.
“Dua thjesht që shteti im të funksionojë. Nëse protestoj, nuk do të thotë se më ka dërguar dikush. Mund të thotë se kam mbetur pa rrugë tjetër për t’u dëgjuar”, shprehet ai.
Përgjigjja e protestuesit:
Zoti Kryeministër,
Nuk më zemëron fakti që nuk më kupton. Më zemëron fakti që më kupton shumë mirë.
Ti në këtë letër i përshkruan hallet e mia me saktësi: pagën e ulët, padrejtësitë, pronat, shëndetësinë, arrogancën e pushtetit.
Pikërisht sepse i njeh kaq mirë, unë pyes: pse pas kaq vitesh në krye të qeverisë vazhdojnë të jenë pjesë e jetës sime?
Nuk dua të jem hero protestash dhe as vegël e opozitës.
Nuk dua as të më thonë se jam përdorur nga të tjerët sa herë që protestoj.
Dua thjesht që shteti im të funksionojë.
Nëse protestoj, nuk do të thotë se më ka dërguar dikush.
Mund të thotë se kam mbetur pa rrugë tjetër për t’u dëgjuar.
Dhe nëse pas kaq vitesh pushtet ende më fton të vij tek ti për të zgjidhur hallin tim, atëherë ndoshta problemi nuk është se unë jam vetëm.
Ndoshta problemi është se shteti ende nuk ka ardhur tek unë.”
Nëse e njeh kaq mirë hallin tim, çfarë të pengoi ta zgjidhje gjatë gjithë këtyre viteve?

