Avokati Kujtim Cakrani ka njoftuar këtë të hënë se nuk do ta përfaqësojë më ish-presidentin Ilir Meta, pasi sipas tij, mes tyre ka mungesë mirëbesimi reciprok.
Cakrani, i cili e përfaqësonte ish-presidentin që prej 24 majit 2025 në procesin penal që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka hequr dorë nga mbrojtja e tij.
Përmes një deklarate publike, Studio Ligjore "Cakrani" thekson se bashkëpunimi ishte zhvilluar me profesionalizëm dhe angazhim të plotë në mbrojtje të të drejtave të klientit. Megjithatë, sot u njoftua se marrëdhënia klient-avokat ka përfunduar.
Sipas Cakranit, arsyeja e ndërprerjes së bashkëpunimit lidhet me humbjen e mirëbesimit reciprok dhe mungesën e bashkëpunimit të nevojshëm mes klientit dhe mbrojtësit ligjor. Sipas avokatit, kjo situatë u evidentua veçanërisht pas seancës së fundit gjyqësore të çështjes në themel.
Më tej, në deklaratë nënvizohet se vendimi është marrë në përputhje me Kodin e Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionin në fuqi, duke sqaruar se nuk ekziston asnjë konflikt interesi, akuzë apo përplasje mes palëve.
Njoftimi i Studios Ligjore "Cakrani":
Me datë 24 maj 2025, Studio Ligjore “Cakrani” nëpërmjet avokatit Kujtim Cakrani, mori përsipër përfaqësimin ligjor të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Metaj, në procedimin penal të zhvilluar para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO/SPAK). Bashkëpunimi është kryer me ndershmëri profesionale dhe me angazhim të plotë në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave ligjore të klientit.
Sot, më datë 29 Qershor 2026, Studio Ligjore “Cakrani” njofton publikun se marrëdhënia klient–avokat me z. Ilir Metaj ka ardhur në fund. Shkëputja e kësaj marrëdhënieje vjen si pasojë e humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm ndërmjet klientit dhe mbrojtësit ligjor, gjendje kjo e evidentuar sidomos pas seancës së fundit gjyqësore të çështjes në themel.
Theksojmë se kjo shkëputje bëhet plotësisht brenda normave të etikës dhe deontologjisë profesionale të avokatit, në zbatim të Kodit të Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionit në fuqi. Nuk ka asnjë konflikt interesi, akuza reciproke apo qëndrim polemik nga asnjëra palë. Vendimi pasqyron thjesht dhe vetëm mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive.
Studio Ligjore “Cakrani” i uron z. Metaj gjetjen e përfaqësimit ligjor të duhur dhe respekton të drejtën e tij kushtetuese dhe konvencionale për gjykim të drejtë. Gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit, avokati Kujtim Cakrani ka vepruar me integritet profesional të plotë dhe do të ruajnë, si e kërkon ligji, konfidencialitetin e informacioneve të fituara gjatë ushtrimit të mandatit.
Kjo deklaratë lëshohet me qëllim ekskluziv të transparencës ndaj opinionit publik dhe medias, për të evituar çdo keqkuptim apo interpretim të gabuar të rrethanave që çuan në përfundimin e marrëdhënies profesionale.
