Grupi Parlamentar i PS-së mbajti këtë të hënë një mbledhje me dyer të mbyllura në Kryesinë e Kuvendit, ku morën pjesë edhe kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherazi kryeministri, Edi Rama, si dhe një pjesë e kabinetit qeveritar.
Mësohet se fokusi i diskutimeve te socialistët kanë qenë seancat plenare që do të zhvillohen këtë javë, përkatësisht ditën e martë dhe të enjten.
Në seancën që do të mbahet nesër, pjesa më e madhe e rendit të ditës i dedikohet raporteve të institucioneve të pavarura, ndërsa të enjten do të zhvillohet një seancë e zakonshme me projektligjet e parashikuara në rendin e ditës.
Po ashtu, gjatë mbledhjes, kryeministri Edi Rama u ka kërkuar deputetëve të jenë më aktivë në rrjetet sociale.
Kujtojmë se Kuvendi do të zhvillojë edhe katër seanca plenare gjatë muajit korrik, përpara mbylljes së sesionit parlamentar. Me interes pritet të jetë edhe reforma territoriale, për të cilën është ngritur një komision i posaçëm.
