Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me protestën që po mbahet prej 30 ditësh në Tiranë, duke publikuar foton e njërit prej 13 anëtarëve të Grupit Koordinues, të cilët firmosën letrën drejtuar ambasadave lidhur me pesë kërkesat e tyre ndaj qeverisë.
Bëhet fjalë për Edviol Kullurin, i cili ditën e djeshme ishte një nga anëtarët e Grupit Koordinues që bëri thirrje për ngritjen e një Kuvendi Kombëtar Qytetar, i cili do të kishte edhe detyrën e krijimit të një qeverie teknike tranzitore. Sipas tyre, kjo qeveri do të duhej të zëvendësonte qeverinë e kryeministrit Rama pas dorëheqjes së tij.
Kryeministri ka publikuar precedentët penalë të Kullurit, i cili është marrë tetë herë nën hetim nga policia për vepra penale si: rrahje, vjedhje e energjisë elektrike, dhunë dhe pjesëmarrje në protesta të paligjshme.
Më tej, kreu i qeverisë nuk ka lënë pa ironizuar, teksa shkruan se: "Sorrat dhe korbat i kanë marrë përfundimisht peng flamingot, nën maskën e 'Shqipërisë së Re"."
Postimi i plotë i Ramës:
NJIHUNI ME kontributin mbresëlënës për atdheun të njërit prej 13 flamurtarëve firmëtarë të protestës së bulevardit, ku sorrat dhe korbat i kanë marrë përfundimisht peng flamingot, nën maskën e “Shqipërisë së Re”:
I proceduar:
- 2014 – Rrahje në bashkëpunim, Tiranë
- 2016 - Vjedhje energjie, Tiranë
- 2016 – Rrahje në dëm të një shtetaseje, Tiranë
- 2017 - Rrahje në grup, Durrës
- 2019 – Pjesëmarrje në protestë të paligjshme, pengim qarkullimi I automjeteve, pengim i IMT per prishjen e ndertimit te paligjshëm, Vlorë
- 2020 – Kanosje & plagosje e lehtë, Vlorë
- 2021 – Kanosje ndaj një shtetaseje grua, Vlorë
- 2022 – Dhunë në familje ndaj xhaxhait të tij, Vlorë
