Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi "live" në Facebook në lidhje me Paketën e Maleve, ka komentuar edhe protestën që po zhvillohet prej 52 ditësh në vend.
Rama i ndau sërish protestuesit në dy kategori: "flamingo" dhe "sorra". Sipas kreut të qeverisë, "flamingot" përfaqësojnë historinë e Shqipërisë së re, ndërsa "sorrat" janë ata që, sipas tij, e kanë marrë peng protestën dhe e kanë kthyer atë në një shëmbëlltyrë të opozitës.
Po ashtu, kryeministri thekson në fjalën e tij se ekstremet e majta dhe të djathta po sjellin të keqen në vend.
Rama: Për çfarë unë kam reflektuar personalisht, nga pasqyra e bulevardit të flamingove, është temë tjetër dhe do ta ndaj me të gjithë në ditët në vijim. Por ai bulevard është shumë i ndarë, për mua të paktën.
Sepse është i ndarë për historinë, ku historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re, kurse jo e sorrave dhe korbave, që e kanë marrë peng dhe e kanë kthyer në një shëmbëlltyrë simetrike me jashtëqitjen e asaj opozite që nuk dihet më ku është.
Nuk ka asnjë lidhje me historinë e të ardhmes së Shqipërisë, ka lidhje vetëm me të shkuarën, e cila vjen me forma shumë të rrezikshme dhe kjo është shumë shqetësuese.
Ekstremet e majta dhe të djathta vijnë për të sjellë më të keqen për një vend përmes sharlatanëve, injorantëve, dështakëve dhe zemërakëve të pangushëllueshëm. Janë dy histori të ndara.
