Banorët e Prrenjasit kanë dalë hapur kundër propozimit që bashkia e tyre të shkrihet dhe territori i saj të kalojë në juridiksionin e Bashkisë së Librazhdit, në kuadër të Reformës së re Territoriale.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe deputetja e zonës, Bora Muzhaqi, e cila shkruan se është kontaktuar nga banorët për këtë temë. Muzhaqi shprehet se e njeh mirë zonën dhe se mesazhi që ka marrë prej tyre është i qartë: Prrenjasi duhet të mbetet bashki më vete.
"Por çdo reformë e tillë duhet të mbështetet te të dhënat, te analiza dhe te dëgjimi i komuniteteve që preken drejtpërdrejt prej saj, duke respektuar identitetin, traditën dhe interesin më të mirë të banorëve", shkruan ajo.
Po ashtu, deputetja socialiste thekson në postimin e saj në Facebook se do t'ua përcjellë institucioneve përkatëse shqetësimet e banorëve të Prrenjasit, në mënyrë që ato të merren në konsideratë gjatë procesit të reformës.
Postimi i Muzhaqit:
Për banorët e Bashkisë së Prrenjasit.
Faleminderit për çdo mesazh që më keni dërguar këto ditë. I kam lexuar të gjitha dhe e kuptoj shumë mirë shqetësimin tuaj.
Prej dy vitesh kam qenë pranë jush në çdo sfidë dhe problematikë. E njoh historinë e kësaj zone, krenarinë e Rrajcës, Stravajt e Qukësit, bukuritë natyrore të Shebenikut dhe, mbi të gjitha, njerëzit punëtorë e të urtë që e kanë ndërtuar Prrenjasin me mund e përkushtim. Pikërisht për këtë, do të vazhdoj t’ju përfaqësoj me të njëjtin përkushtim. Mesazhi që kam marrë nga ju është i qartë: banorët duan që Bashkia e Prrenjasit të vazhdojë të mbetet bashki.
Reforma territoriale ka si synim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, rritjen e efikasitetit të qeverisjes vendore, tërheqjen e më shumë investimeve dhe krijimin e më shumë mundësive për zhvillim. Por çdo reformë e tillë duhet të mbështetet te të dhënat, te analiza dhe te dëgjimi i komuniteteve që preken drejtpërdrejt prej saj, duke respektuar identitetin, traditën dhe interesin më të mirë të banorëve.
Do të vijoj të jem zëri juaj, duke e përcjellë shqetësimin tuaj në çdo nivel ku mund të kontribuoj, me argument dhe me analiza.
