Hapësire reklamuese

Politikë

Parlamenti në prag të mbylljes së punimeve, opozita çon në Kuvend zërin e protestuesve, PD kërkon debat për pesë kërkesat kryesore

Shkruar nga Newsbomb
Parlamenti në prag të mbylljes së punimeve, opozita çon
Foto ilustruese: Kuvendi

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë zyrtare për zhvillimin e një mocioni me debat, duke argumentuar se protestat e vazhdueshme qytetare dhe shqetësimet e ngritura mbi qeverisjen, transparencën dhe mbrojtjen e interesit publik kërkojnë një diskutim të menjëhershëm në Parlament.

Në dokumentin e firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi theksohet se protestat e zhvilluara në vend kanë artikuluar një sërë kërkesash që lidhen me vendimmarrjen e qeverisë dhe ndryshimet ligjore të miratuara së fundmi. Sipas kërkesës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, anulimin e kuadrit ligjor të njohur si “Paketa e Maleve”, si dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe atë për trashëgiminë kulturore.

Demokratët nënvizojnë se këto shqetësime janë ngritur vazhdimisht edhe nga opozita, e cila ka depozituar në Kuvend nisma ligjore për shfuqizimin e akteve që sipas saj cenojnë interesin publik, mjedisin dhe trashëgiminë kombëtare.

Parlamenti në prag të mbylljes së punimeve, opozita çon
 

Në argumentimin e kërkesës për mocion, PD referon gjithashtu diskutimet e zhvilluara në institucionet europiane lidhur me situatën në Shqipëri, duke përmendur edhe rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për vendin. Sipas opozitës, zhvillimet e fundit dhe reagimi qytetar ndaj tyre e bëjnë të domosdoshëm një debat parlamentar për të adresuar shqetësimet e ngritura në opinionin publik.

Kjo nuk është hera e parë që Partia Demokratike kërkon zhvillimin e një mocioni me debat. Më herët, opozita ka depozituar një kërkesë të ngjashme edhe për diskutimin e Raportit të Komisionit Europian mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese