Blutë e Shkodrës kanë zbardhur ditën e sotme një grabitje me armë ndaj një çifti gjerman të regjistruar rreth tre javë më parë, duke vënë në pranga një 16-vjeçar, vendosur nën hetim dy të tjerë dhe duke shpallur në kërkim një nga bashkëpunëtorët e dyshuar.
Sipas njoftimit të dhënë nga policia, ngjarja është regjistruar mbrëmjen e 9 qershorit, në aksin rrugor Domen-Postribë, ku çifti gjerman po qëndronte në automjetin e tyre në momentin që u përballën me katër persona, të cilët i kanosën me armë zjarri dhe u morën 500 euro.
Puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim vijon ende.
Njoftimi i policisë:
"Zbardhen rrethanat e vjedhjes së një shume parash, 2 shtetasve të huaj (bashkëshortë), me anë të kanosjes me armë zjarri, rreth 3 javë më parë, në fshatin Domen.
Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.Në vijim të punës së pandërprerë hetimore për zbardhjen e vjedhjeve, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër finalizuan operacionin e koduar “Rest time”. Në kaudër të këtij operacioni, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Renda arrestuan një 16-vjeçar, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas, të moshave 27 dhe 20 vjeç, si dhe shapllën në kërkim 1 shtetas. Nga veprimet hetimore dyshohet se më datë 09.06.2026, gjatë natës, në aksin rrugor “Domen-Postribë”, 16-vjeçari, në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë, iu ka marrë 500 euro, 2 shtetasve gjermanë (bashkëshortë), të cilët po qëndronin në automjetin e tyre.
Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme"
