Hapësire reklamuese

Aktualitet

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Individë të veçantë kryen akte të dhunshme në protestë, por Policia nuk njoftoi me megafon se do hidhte ujë e gaz për shpërndarjen e turmës

Shkruar nga Newsbomb
Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Individë të veçantë kryen
Pamje nga protesta dje para Parlamentit, 2 Korrik 2026

Komiteti Shqiptar i Helsinkit në vijim të monitorimit në terren, të protestës së zhvilluar më 2 korrik 2026 përpara Kuvendit të Shqipërisë, shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e situatës, aktet e dhunës të kryera nga individë të veçantë, si dhe për përdorimin e forcës joproporcionale nga punonjës të Policisë së Shtetit.

Nga monitorimi i KSHH-së, rezulton se protesta kishte karakter kryesisht paqësor dhe situata ishte nën kontroll për një periudhë të gjatë kohe. Megjithatë, aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë nuk mund t’i atribuohen automatikisht të gjithë protestuesve.

Në raport me nenin 11 të Konventës Evropiane, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nënvizuar se aktet e izoluara të dhunës (hedhja e vezëve, gurë nga individë të veçantë) nuk ia heqin tubimit karakterin paqësor në tërësi dhe as nuk i heqin mbrojtjen pjesëmarrësve paqësorë.

Komiteti vëren me shqetësim se, pas incidentit me automjetet që tentuan të dilnin nga ambientet e Kuvendit, sjellja e forcave të policisë ndryshoi në mënyrë të menjëhershme. Sipas monitorimit në terren, brenda një kohe të shkurtër u kalua nga një situatë e qetë te rrethimi dhe shtyrja e protestuesve dhe më pas te përdorimi i gazit lotsjellës.

Veçanërisht shqetësues është fakti se përdorimi i gazit lotsjellës, sipas vëzhgimit në terren, nuk u parapri nga një paralajmërim publik me një qendër zëri dhe rrjedhimisht as nga dhënia e një kohe të arsyeshme për shpërndarje vullnetare.

Përdorimi i mjeteve të tilla, të cilat prekin në mënyrë të padiferencuar edhe protestuesit paqësorë, gazetarët, vëzhguesit dhe persona të tjerë të pranishëm në protestën e djeshme, duhet të ishin masë e fundit, e domosdoshme dhe proporcionale.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësim të veçantë për rastet e vëzhguara të përdorimit të forcës ndaj personave që ishin neutralizuar dhe ndodheshin në tokë. Përdorimi i shkopinjve të gomës, goditjeve, grushteve apo formave të tjera të forcës ndaj personave të shtrirë në tokë dhe të rrethuar nga disa punonjës policie që nuk paraqesin më rrezik dhe nuk bëjnë rezistencë është i papranueshëm dhe kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv.

Po aq shqetësuese janë pretendimet lidhur me mungesën e kujdesit të menjëhershëm ndaj personave që deklaronin se ishin të dëmtuar apo kishin probleme shëndetësore (sëmundje si epilepsia). Për personat me probleme serioze shëndetësore, GJEDNJ ka theksuar se shteti duhet të sigurojë kujdes mjekësor adekuat dhe se, në rrethana të caktuara, mbajtja në paraburgim e papajtueshme me gjendjen shëndetësore mund të ngrejë çështje sipas nenit 3 të KEDNJ. Ndërkohë, kur i ndaluari është kujdestari kryesor i një fëmije me aftësi të kufizuara, vlerësimi i masës duhet të marrë parasysh interesin më të lartë të fëmijës dhe mbrojtjen e jetës familjare.

KShH thekson se policia ka detyrimin dhe të drejtën të mbrojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe të institucioneve, si dhe integritetin fizik të punonjësve të saj. Por pikërisht për shkak të autoritetit dhe mjeteve që ligji i ka dhënë, standardi i përgjegjshmërisë së policisë është më i lartë. Forca nuk duhet të përdoret si reagim ndëshkues, por vetëm kur është e domosdoshme, në masën më të kufizuar të mundshme dhe ndaj personave konkretë që paraqesin rrezik. As dhuna ndaj policisë nuk mund të relativizohet, ashtu sikurse as dhuna e policisë nuk mund të justifikohet me sjelljen e individëve të veçantë.

Në këtë kuadër, Komiteti Shqiptar i Helsinkit u bën thirrje:

- Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Agjencisë së Mbikqyrjes Policore të hetojnë në mënyrë të shpejtë, të paanshme dhe efektive çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve;

- Policisë së Shtetit të garantojë se në protestat e ardhshme çdo përdorim force do të paraprihet nga komunikimi, paralajmërimi i qartë dhe koha e mjaftueshme për zbatim vullnetar, përveç rasteve të një rreziku real dhe të menjëhershëm;

- Organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta të distancohen qartë nga çdo akt dhune dhe të kontribuojnë në izolimin e individëve që cenojnë karakterin paqësor të tubimit;

- Deputetëve dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve publike të shmangin transemtimin e videove që nuk paraqesin një panoramë të plotë të mënyrës se si është arritur në përshkallëzimin e protestës, duke shmangur gjuhën e urrrejtjes që etiketon në mënyrë kolektive protestuesit ose që përdor incidente individuale për të delegjitimuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

Hedhja e vezëve ndaj automjeteve dhe, në vijim, hedhja e gurëve dhe sendeve të tjera, dëmtimi i një automjeti të policisë dhe lëndimi i punonjësve të policisë janë veprime të papranueshme dhe duhet të hetohen në mënyrë individuale, të paanshme dhe profesionale.

KShH rithekson se e drejta për tubim dhe protestë paqësore është një e drejtë themelore e garantuar në nenin 47 të Kushtetutës së RSH dhe nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Detyrimi i institucioneve shtetërore nuk kufizohet vetëm në lejimin formal të protestës, por përfshin edhe krijimin e kushteve që qytetarët ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të sigurt dhe pa u ekspozuar ndaj përdorimit të panevojshëm ose joproporcional të forcës.

DEKLARATË PËR SHTYP – DHUNA INDIVIDUALE NUK MUND TË JUSTIFIKOJË PËRDORIMIN JOPROPORCIONAL TË FORCËS

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të monitorimit në terren, të protestës së zhvilluar më 2 korrik 2026 përpara Kuvendit të Shqipërisë, shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e situatës, aktet e dhunës të kryera nga individë të veçantë, si dhe për përdorimin e forces joproporcionale nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.

KShH rithekson se e drejta për tubim dhe protestë paqësore është një e drejtë themelore e garantuar në nenin 47 të Kushtetutës së RSH dhe nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Detyrimi i institucioneve shtetërore nuk kufizohet vetëm në lejimin formal të protestës, por përfshin edhe krijimin e kushteve që qytetarët ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të sigurt dhe pa u ekspozuar ndaj përdorimit të panevojshëm ose joproporcional të forcës.

Nga monitorimi i KShH rezulton se protesta kishte karakter kryesisht paqësor dhe situata ishte nën kontroll për një periudhë të gjatë kohe. Megjithatë, aktet e dhunshme[1] të kryera nga individë të veçantë nuk mund t’i atribuohen automatikisht të gjithë protestuesve. Në raport me nenin 11 të Konventës Evropiane, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nënvizuar se aktet e izoluara të dhunës (hedhja e vezëve, gurë nga individë të veçantë) nuk ia heqin tubimit karakterin paqësor në tërësi dhe as nuk i heqin mbrojtjen pjesëmarrësve paqësorë (Kudrevičius [DHM]; Ziliberberg k. Moldavisë, 2005; Frumkin k. Rusisë, 2016).

KShH vëren me shqetësim se, pas incidentit me automjetet që tentuan të dilnin nga ambientet e Kuvendit, sjellja e forcave të policisë ndryshoi në mënyrë të menjëhershme. Sipas monitorimit në terren, brenda një kohe të shkurtër u kalua nga një situatë e qetë te rrethimi dhe shtyrja e protestuesve dhe më pas te përdorimi i gazit lotsjellës.

Veçanërisht shqetësues është fakti se përdorimi i gazit lotsjellës, sipas vëzhgimit në terren, nuk u parapri nga një paralajmërim publik me një qendër zëri dhe rrjedhimisht as nga dhënia e një kohe të arsyeshme për shpërndarje vullnetare. Përdorimi i mjeteve të tilla, të cilat prekin në mënyrë të padiferencuar edhe protestuesit paqësorë, gazetarët, vëzhguesit dhe persona të tjerë të pranishëm në protestën e djeshme, duhet të ishin masë e fundit, e domosdoshme dhe proporcionale. Referuara standarteve të Gjykatës së Strasburgut, lidhur me nenin 3 dhe 11 të KEDNJ, përdorimi i mjeteve kimike pa paralajmërim dhe pa lënë kohë për shpërndarje vullnetare mund të përbëjë keqtrajtim dhe ndërhyrje joproporcionale në tubim (Abdullah Yaşa dhe të tjerë k. Turqisë, 2013; Ataykaya k. Turqisë, 2014; Oya Ataman k. Turqisë, 2006). Ligji ynë nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, në nenin 12 dhe 32/3 parashikojn se paralajmërimi është parakusht i detyrueshëm para përdorimit të forces.

KShH shpreh shqetësim të veçantë për rastet e vëzhguara të përdorimit të forcës ndaj personave që ishin neutralizuar dhe ndodheshin në tokë. Përdorimi i shkopinjve të gomës, goditjeve, grushteve apo formave të tjera të forcës ndaj personave të shtrirë në tokë dhe të rrethuar nga disa punonjës policie që nuk paraqesin më rrezik dhe nuk bëjnë rezistencë është i papranueshëm dhe kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv. Standartet e elaboruara të GJEDNJ-së lidhur me nenin 3 të KEDNJ nënvizojnë se përdorimi i forcës ndaj një personi tashmë të neutralizuar dhe pa rezistencë përbën trajtim çnjerëzor ose poshtërues; goditjet në fytyrë dhe poshtërimi e cenojnë rëndë dinjitetin (Bouyid k. Belgjikës [DHM]; İzci k. Turqisë, 2013).

Po aq shqetësuese janë pretendimet lidhur me mungesën e kujdesit të menjëhershëm ndaj personave që deklaronin se ishin të dëmtuar apo kishin probleme shëndetësore (sëmundje si epilepsia). Për personat me probleme serioze shëndetësore, GJEDNJ ka theksuar se shteti duhet të sigurojë kujdes mjekësor adekuat dhe se, në rrethana të caktuara, mbajtja në paraburgim e papajtueshme me gjendjen shëndetësore mund të ngrejë çështje sipas nenit 3 të KEDNJ (Kudła k. Polonisë [DHM], 2000; Mouisel k. Francës, 2002). Ndërkohë, kur i ndaluari është kujdestari kryesor i një fëmije me aftësi të kufizuara, vlerësimi i masës duhet të marrë parasysh interesin më të lartë të fëmijës dhe mbrojtjen e jetës familjare (neni 8 i KEDNJ; neni 3 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës).

KShH thekson se policia ka detyrimin dhe të drejtën të mbrojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe të institucioneve, si dhe integritetin fizik të punonjësve të saj. Por pikërisht për shkak të autoritetit dhe mjeteve që ligji i ka dhënë, standardi i përgjegjshmërisë së policisë është më i lartë. Forca nuk duhet të përdoret si reagim ndëshkues, por vetëm kur është e domosdoshme, në masën më të kufizuar të mundshme dhe ndaj personave konkretë që paraqesin rrezik. As dhuna ndaj policisë nuk mund të relativizohet, ashtu sikurse as dhuna e policisë nuk mund të justifikohet me sjelljen e individëve të veçantë.

Në këtë kuadër, KShH u bën thirrje:

- Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Agjencisë së Mbikqyrjes Policore të hetojnë në mënyrë të shpejtë, të paanshme dhe efektive çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve;

- Policisë së Shtetit të garantojë se në protestat e ardhshme çdo përdorim force do të paraprihet nga komunikimi, paralajmërimi i qartë dhe koha e mjaftueshme për zbatim vullnetar, përveç rasteve të një rreziku real dhe të menjëhershëm;

- Organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta të distancohen qartë nga çdo akt dhune dhe të kontribuojnë në izolimin e individëve që cenojnë karakterin paqësor të tubimit;

- Deputetëve dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve publike të shmangin transemtimin e videove që nuk paraqesin një panoramë të plotë të mënyrës se si është arritur në përshkallëzimin e protestës, duke shmangur gjuhën e urrrejtjes që etiketon në mënyrë kolektive protestuesit ose që përdor incidente individuale për të delegjitimuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

Hedhja e vezëve ndaj automjeteve dhe, në vijim, hedhja e gurëve dhe sendeve të tjera, dëmtimi i një automjeti të policisë dhe lëndimi i punonjësve të policisë janë veprime të papranueshme dhe duhet të hetohen në mënyrë individuale, të paanshme dhe profesionale.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese