Tensionet dhe përplasjet në kantierin e Aeroportit të Vlorës kanë vijuar edhe gjatë kësaj dite të tretë, që prej momentit kur biznesmeni Behgjet Pacolli deklaroi publikisht se punonjësit e kompanisë së tij MABCO, së bashku me nënkontraktorët, do t’i riktheheshin punës për të vazhduar zbatimin e projektit.
Ashtu siç është raportuar edhe më herët, kamionë të kompanisë “2A Group”, në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, vazhdojnë të qëndrojnë të pozicionuar në hyrje të kantierit, duke penguar hyrjen e punonjësve dhe mjeteve të kompanisë së Pacollit. Sipas këtij të fundit, situata nuk po krijon pengesa vetëm për vijimin e punimeve në aeroport, por po ndikon edhe te banorët e zonës.
Pacolli pretendon se bllokimi i rrugës po ua vështirëson kalimin banorëve të fshatit pranë aeroportit, të cilët nuk po arrijnë të kenë akses në pronat dhe tokat e tyre bujqësore.
Përmes këtij reagimi publik, biznesmeni i ka bërë thirrje prokurorit të Vlorës duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të organit të akuzës dhe kryerjen e hetimeve të nevojshme për situatën e krijuar.
“Ky është realiteti i hidhur: kamionët e Valon Ademit jo vetëm që kanë bllokuar hyrjen dhe qasjen në arealin e aeroportit, por kanë uzurpuar edhe rrugën PUBLIKE të fshatit, duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Më skandalozja është se kjo ndodh nën sytë e Policisë së Shtetit, e cila ndodhet vetëm pak metra larg dhe, në vend që të zbatojë ligjin, po toleron dhe po mbron këtë paligjshmëri të hapur. Kur institucionet që duhet të garantojnë rendin dhe ligjin bëhen spektatore ose mbrojtëse të shkeljeve, atëherë kemi të bëjmë me një precedent të rrezikshëm për shtetin e së drejtës”, shkruan Pacolli, ndërkohë që më tej i bën thirrje Prokurorisë që të veprojë pa vonesa, duke paralajmëruar se mosveprimi nga ana e tyre mund të çojë në përshkallëizm të mëtejshëm të situatës.
Reagimi i Behgjet Pacollit:
Drejtuar Prokurorit të dhtetit të Vlorës!
I nderuari Prokutor i shtetit!
Ky është realiteti i hidhur: kamionët e Valon Ademit jo vetëm që kanë bllokuar hyrjen dhe qasjen në arealin e aeroportit, por kanë uzurpuar edhe rrugën PUBLIKE të fshatit, duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Më skandalozja është se kjo ndodh nën sytë e Policisë së Shtetit, e cila ndodhet vetëm pak metra larg dhe, në vend që të zbatojë ligjin, po toleron dhe po mbron këtë paligjshmëri të hapur. Kur institucionet që duhet të garantojnë rendin dhe ligjin bëhen spektatore ose mbrojtëse të shkeljeve, atëherë kemi të bëjmë me një precedent të rrezikshëm për shtetin e së drejtës.
I ndëruari prokuror i Shtetit!
Çdo ditë ju keni përpara denoncimet tona për dhunën dhe paligjshmërinë që një grup i organizuar ushtron ndaj investitorit dhe ndaj vetë shtetit. Çdo ditë i shihni edhe këto pamje e këto bllokada.
Çfarë duhet të bëjmë më tepër? Ne nuk kemi zgjedhur dhe nuk do të zgjedhim dhunën. Kemi besuar te ju, te ligji dhe te drejtësia.
Prandaj, ose veproni sipas ligjit, ose dilni dhe deklarohuni qartë: si duhet të veprojmë kur ligji nuk na mbron.
Mos pritni përshkallëzim tjetër ju lutem!
Behgjet Pacolli
