Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka bërë një paralajmërim të fortë në lidhje me protestën e radhës që do të mbahet ditën e sotme në Tiranë, ku në Bulevardin Dëshmorët e Kombit janë vendosur flamuj të Izraelit, pasi këtë javë festohet java kulturore izraelite.
Në një postim në Facebook, Këlliçi shkruan se ky është një skenar i kryeministrit Edi Rama për të dëmtuar protestën, teska akuzon se do të ketë infiltruar në protestë që do ta bëjnë këtë gjë.
“Burime shumë serioze informojnë se Edi Rama do ta ekzekutojë vetë këtë skenar me njerëzit e tij të infiltruar mes turmës, ditën e sotme! Ndaj dhe flamujt, si kurrë më parë, janë vënë në lartësi që lehtësisht mund të kapen nga këmbësorët”, theksoi ligjvënësi demokrat në postimin e tij.
Po ashtu deputeti i ka bërë thirrje protestuesve që të mos provokohen dhe të distancohen nga këto gjeste.
Postimi i plotë:
Edi Rama po bën gjithçka për ta dëmtuar protestën qytetare dhe është gati të vërë në jetë dhe skenarin më djallëzor të mundshëm!!!
Ka veshur Bulevardin me flamuj të Izraelit duke shpresuar të ndodhë ndonjë akt që do t'i baltoste njerëzit që janë ngritur në revoltë.
Burime shumë serioze informojnë se Edi Rama do ta ekzekutojë vetë këtë skenar me njerëzit e tij të infiltruar mes turmës, ditën e sotme! Ndaj dhe flamujt, si kurrë më parë, janë vënë në lartësi që lehtësisht mund të kapen nga këmbësorët!
Është rasti që çdokush të bëjë kujdes e të mos bjerë pre e këtij provokimi.
Distancohuni nga çdo akt, gjest, apo skenar që synon të devijojë qëllimin e vërtetë të protestës që është dorëheqja dhe korrupsioni i Edi Ramës.
Bëni kujdes, qëndroni vigjilent, distancohuni nga provokimet!
