Biznesmeni Gjergj Luca, në emisionin “Top Story” në Top Channel, ka treguar për herë të parë historinë e tij me mediat dhe pasojat që i kanë sjellë. Ai ndau një histori të ndodhur disa vite më parë ku është sulmuar publikisht, duke u akuzuar padrejtësisht si i lidhur me krimin e organizuar, gjë që sipas tij i ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe reputacioni.
Luca rrëfeu se ambasada japoneze i ka kërkuar ndjesë për situatën, ndërsa edhe kompani të mëdha si Mitsubishi dhe partnerë nga Suedia i kanë kërkuar shpjegime për artikujt ku ai akuzohej si “kapo i drogës” apo “i krimit të organizuar”. Ai theksoi se këto lajme kanë ndikuar drejtpërdrejt në eksportet e tij, duke i mbyllur për një vit të tërë.
Ai kujtoi se pesë deri në gjashtë vite më parë, kur nisi kjo histori, u detyrua të reagojë publikisht në rrjetet sociale dhe më pas të kërkojë ndihmën e institucioneve. Luca tha se i është drejtuar me respekt kreut të SPAK, Altin Dumani, duke kërkuar një “check up” për figurën e tij përballë shoqërisë shqiptare.
Biznesmeni shtoi se ka hapur procese gjyqësore kundër portaleve, por ato janë zvarritur me ndërrime gjykatësish dhe prokurorësh. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, sipas tij, janë ngritur grupe survejimi nga Suedia dhe Japonia që kanë kontrolluar bilancet e tij dhe aktivitetin ekonomik, për të verifikuar akuzat e mediave.
“Dëmi që më kanë bërë, aktualiteti dhe çfarë gjykoj unë se duhet të bëjë ky shtet ose ai parlament për ta kthyer në normalitet gjithë shoqërinë shqiptare. Atëherë po të them dëmin tim përpara pesë-gjashtë vjetëve, kur mu turrën. Unë nuk e kisha ditur këtë historinë e mediave. U shqetësova jashtë mase, fillova të dal nëpër rrjetet e mia, t’u jepja përgjigje. Nuk ishin të mjaftueshme.
Dola, i bëra një kërkesë publike Dumanit, me gjithë respektin e madh që kam për institucionin dhe për atë njeri, që të më bëjnë një “check up”: Kush jam unë përballë shoqërisë shqiptare dhe a kam të drejtë të dal me zë dhe me figurë për të ngritur problemet që mua më duken të arsyeshme për t’i ngritur përballë shoqërisë shqiptare.?
Me siguri që ajo u mor për humor. Unë vazhdova, i futa në gjyq. Gjyqet tona vazhdojnë. Është ndërruar dy herë gjykatësja, një portal, është ndërruar prokurori, ku ta di unë se çfarë. Gjatë kësaj periudhe mua më vijnë dy shkresa: një nga Suedia dhe një nga Japonia. Nga Suedia, nga kolegët e mi me të cilët punoj dhe bëj një turnover rreth 50-60 milionë eksporte në vit.
Ndërsa nga Japonia, nga një kompani që mund të jetë ndër më të mëdhajat në botë, që nuk është ndonjë sekret, nga Mitsubishi.
Dhe më thonë: “Të lutem shumë, na jep shpjegime për këto artikuj, sepse flitet shumë keq për ty si kapo i drogës, i krimit të organizuar, vrasës, bandë e të tjera e të tjera.” Janë bashkëpunëtorët e tu ekonomikë, që kur shikojnë të tilla lajme, na sjellin dëm ekonomik.
Po shkoj aty që këta njerëz nuk e kuptuan logjikën time, që unë u shpjegova se çfarë do të thotë media në Shqipëri. Dhe ngritën tre grupe survejimi, një nga Suedia dhe dy nga Japonia. Më bënë fije-fije komplet bilancet, shtetin, të gjitha.
Më thirrën këta të ambasadës japoneze. Më thanë: “Zotëri, të kërkojmë ndjesë, ka ndodhur kjo punë, uroj ta shikosh.” Njëkohësisht shkova edhe në ambasadë te të tjerët dhe na thanë: “Ne po çuditemi, por ky vend i tillë qenka. Të kërkojmë ndjesë, do të vazhdojmë punë.” Normalisht mua më kanë ndjekur, më kanë ndjekur një sezon.
Më kanë djegur një sezon, më kanë bërë dëm dhe më kanë mbyllur eksportet për një vit rresht, për të vërtetuar palaçot e mediave që vjellin kundër njerëzve që duan të ndryshojnë këtë vend.” tha Gjergj Luca.
