Nga Françeska Kordalli
Për më shumë se njëmbëdhjetë vjet, rruga që lidh Tiranën me Bilishtin është bërë pjesë e jetës sime. Kam udhëtuar aq shpesh, sa ka momente kur më duket sikur çdo kthesë, çdo urë dhe çdo segment i saj më janë bërë të njohura. Mali që në disa vende afrohet aq pranë asfaltit sa të krijon përshtypjen se është shoqëruesi jot gjatë gjithë rrugës, lumi Shkumbin që herë shfaqet pranë makinës e herë humbet mes pemëve, tuneli, fshatrat dhe qytetet që kalojnë njëri pas tjetrit janë bërë pjesë e një intinerari të zakonshëm, të cilin e kam përshkruar pa e menduar gjatë. Mes gjithë këtyre ndalesave të vogla që i shihja vetëm nga dritarja e makinës, ishte edhe Librazhdi.
Për mua ai ishte për vite me radhë një tabelë rrugore, disa pallate që shfaqeshin për pak çaste, një shesh që mezi arrija ta dalloja dhe më pas gjithçka mbetej pas, ndërsa vazhdoja udhëtimin drejt Përrenjasit, Korçës dhe Bilishtit. Kalova aty qindra herë dhe pa e kuptuar krijova bindjen se e njihja qytetin, vetëm se e kisha parë aq shpesh. Por, një ditë kuptova se në të vërtetë nuk njihja asgjë prej tij. Një qytet nuk mund ta njohësh dhe shijosh nga dritarja e një makine që nuk ndalet kurrë, duhet të ecësh në të, ta vëzhgosh pa ngut, të dëgjosh historitë e banorëve dhe të njohësh ritmin e jetës së përditshme. Pikërisht kjo më bëri që këtë herë të mos vazhdoja udhëtimin si zakonisht, por të ndaloja dhe të njihesha nga afër me historinë që ky vend ka, me vendet turistike, me infrastrukturën dhe punët e mira që kryebashkiaku Mariglen Disha ka bërë gjatë këtyre tre viteve të fundit!
Ishte ende herët në mëngjes kur mbërrita në qendër të qytetit. Ajri kishte atë freskinë karakteristike të luginës së Shkumbinit, një freski që ndihet edhe në ditët e nxehta të verës dhe që i jep qytetit një qetësi që zor e gjen në qytetet e mëdha, apo në Tiranë. Dyqanet sapo po hapnin qepenat, në një furrë buke po dilnin bukët e para të ditës, ndërsa aroma e tyre përzihej me erën e kafesë së sapo përgatitur që vinte nga lokalet përreth. Njerëzit lëviznin pa nxitim, secili i përqendruar në punët e veta, por me kohën për të përshëndetur këdo që kalonte pranë, pasi ashtu si dhe thuhet nga të vjetrit “me fjalë të mira nuk të lodhet goja”!
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 59-të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Korrik dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!
