Influencerja njëherazi dhe modelja shqiptare Dajana Kalo ka reaguar ashpër në lidhje me deklaratën e kryeministrit Edi Rama i cili dje nga Elbasani ironizoi blogerët dhe influencerët e vendit duke theksuar për të disatën herë se kjo kategori njerëzish nuk paguajnë asnjë taksë.
Në reagimet e bëra në profilin e saj, Kalo sjell në kujtesë se, kur ajo në janar të këtij viti ishte në luftë me jetën, ishin shqiptarët ata që mblodhën në kohë rekord paratë për kurimin e saj, duke shtuar se kjo ndodhi vetëm falë njohjes së saj në rrjet.
Më tej modelja ironizon kryeministrit me rastet e njerëzve që nuk njihen në rrjet por duhet të gjejnë një mënyrë për të shpëtuar jetën e tyre.
“ Po unë u kurova falë rrjeteve sociale, falë shqiptarëve që dhanë nga zemra, falë njerëzve që nuk më njihnin fare. Sepse po të prisja nga sistemi kushedi si do kisha përfunduar. Dhe ky është turpi më i madh i një shteti: që një i sëmurë të detyrohet të kërkojë ndihëm në Instagram për të shpëtuar jetën.
Në vend që qytetarët të mbështeten te një sistem shëndetësor që duhet t’i mbrojë, mbështeten te mëshira, solidariteti dhe zemra e njerëzve. Në vitin 2026, jetë të shpëtohen nga shqiptarët e thjeshtë që hapi portofolin e tyre, ndërsa sistemi që paguhet me taksat tona vijon të dështojë. Kjo nuk është arsye për krenari. Kjo është për revoltë!
Po ai që nuk ka rrjete sociale? Po ai që nuk është influencer, nuk është person publik dhe nuk ka mijëra njerëz që t’i dëgjojnë zërin? Po ai që nuk ka mundësi të shkojë jashtë vendit për t’u kuruar? Si ia bën ai? Kujt i drejtohet? Kush e dëgjon? Kush e shpëton” shkruan Kalo në reagimin e saj.

