Mes qindra-mijëra protestuesve të mbledhur pasditen e sotme në protestë ka qenë edhe halla e Erion Bobës, 15-vjeçarit i cili në nëntor të 2025-ës u vra me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tiij në Durrës.
Barie Çupi, halla e të miturit të ndjerë edhe më parë ka ngritur zërin për nipin e saj, e kësaj here ka prekur me fjalët e saj protestuesit e pranishëm.
“Unë jam halla e Erionit. Ai u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, por e vrau edhe shteti, sepse gjatë operacionit u fikën dritat në spital! Plagët e këtij vendi janë lotët e nënave shqiptare që nuk i kanë fëmijët. Të bashkohen me të gjitha lotët e tyre, që peshojnë shumë mbi tokën shqiptare. Unë jam mësuese dhe jam poete që shkruaj, por pena ime loton për Erionin prej muajsh. Dhimbja jonë do shërohet kur të shërohet Shqipëria. Shporruni të shpëtojë ky vend! Bravo rinia shqiptare, e gëzofshi Shqipërinë e bukur!” u shpreh ajo mes emocionesh.
Kujtojmë se Erioni i vogël, lëngoi për 9 ditë në spital para se të jepte frymë, nga familjarët u tha se ai ndërroi jetë pasi pati një ndërprerje të energjisë elektrike, por spitali nuk e pranoi këtë deklaratë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 nëntor, vetëm 20 minuta larg në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin të dy të miturit e përfshirë në konflikt. 15-vjeçari u godit me thikë në zonën e gjoksit, duke marrë plagë të rënda.
Sipas burimeve policore, sherri dyshohet se ka nisur pas një komenti në rrjetet sociale dhe është përshkallëzuar më pas në shkollë, derisa ka degjeneruar në përdorimin e thikave. Mësohet se Erion Boba e kishte telefonuar autorin 14-vjeçar, me inicialet M.K., për t’i kërkuar sqarim, pasi kishte dëgjuar se ai e shante vazhdimisht në shkollë.
Të dy të miturit ranë dakord të takoheshin për sqarim, ndërsa në vendngjarje kanë qenë edhe shokë të tjerë të dy palëve, të cilët tashmë janë marrë në pyetje nga policia në lidhje me ngjarjen e rëndë.
