Gjykata e Durrësit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për të moshuarin Muhamet Rreshka, i cili mbrëmjen e 24 qershori, qëlloi për vdekje me thikë vëllanë e tij Eqerem Rreshka.
Burime për mediat bëjnë me dije se në seancën gjyqësore të zhvilluar për vlerësimin e arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit M. Rreshka, i akuzuar për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Seanca gjyqësore e zhvilluar ditën e djeshme mësohet se është zhvilluar pa praninë e familjarëve. Autori mësohet se është babai i tre fëmijëve.
Po ashtu, bëhet me dije se Gjykata i ka caktuar 76-vjeçarit një avokat kryesisht (përmes së cilit legjislacioni shqiptar garanton mbrojtje ligjore falas për personat që nuk kanë mundësi ekonomike për avokat privat).
Ashtu siç ka raportuar dhe më parë newsbomb.al, ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në në familjen Rreshka në Kavajë, ku vëllai qëlloi me thikë për vdekje vëllanë e tij, pas një debati për motive të dobëta.
Menjëherë pas momentit të tragjedisë, Policia njoftoi se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:30 në fshatin Agonas të Kavajës, ku dy vëllezërit, Muhamet Rreshka, 76 vjeç, dhe Eqerem Rreshka, 74 vjeç, ndodheshin në arë duke punuar për mbledhjen e bazës ushqimore për blegtorinë.
Gjatë marrjes në pyetje në polici, 76-vjeçari Muharrem Rrashka ka deklaruar se konflikti me vëllain kishte prej kohësh për një rrugë që kalonte në tokën e tij.
Po ashtu ai ka shprehur pendesë për ngjarjen e rëndë që ndodhi, duke theksuar se nga gjaknxehtësia e sipër e ka goditur të vëllanë.
“Me Eqeremin kemi një konflikt të vjetër. Për një rrugë që është pjesë e pronës time. Ai e shfrytëzonte për të kaluar me zetor dhe më dëmtonte tokën. Disa herë ishim përplasur. I kisha thënë mos kalo më se është prona ime.
Ai mbrëmë prapë kaloi aty me zetor se do shkonte te toka e vet për të ngarkuar dengjet e barit. I thashë mos kalo. Ai më shpërfilli. I dha gaz zetorit dhe desh më përplasi. Unë isha përpara zetorit dhe u largova në atë moment.
Aty nisëm të debatonim ashpër. Në konflikt e sipër e godita disa herë me thikë. Më vjen shumë keq që kjo përfundoi kështu. Unë nuk kisha për qëllim ta përdorja thikën, po gjatë përleshjes, në gjaknxehtësi e sipër, e godita. Jam penduar shumë”, ka deklaruar ndër të tjera 76-vjeçari.


