Me sa duket Franca nuk gjen qetësi nga grabitjet e muzeve, kjo pasi sipas raportimit të mediave vendase bizhuteri me vlerë miliona euro u vodhën ditën e djeshme (e dielë) në muzeun e prodhuesit francez të qelqit luksoz Lalique.
Autorët hynë me forcë në muzeun në Wingen-sur-Moder, në Francën verilindore, rreth orës 05:30 të mëngjesit dhe u nisën drejt dhomës së bizhuterive.
“Rreth njëzet bizhuteri u vodhën. Humbja po vlerësohet aktualisht, por mund të arrijë në disa milionë euro, ndoshta afër katër milionë”, tha një burim për mediat franceze. Ndërsa muzeu lajmëroi se do të qendronte i mbyllur për disa ditë për shkak të vjdhjes.
Hetuesit deklaruan se: “Një alarm u dëgjua, por në kohën kur kompania e sigurisë kishte përfunduar kontrollet e saj, ishte një pastruese që mbërriti e para në vendngjarje dhe thirri policinë”, ndërsa aktualisht po shqyrtohen kamerat e muzeut, i cili i është dedikuar argjendarit dhe prodhuesit të qelqit të stilt Art Nouveau dhe Art Deco, Rene Lalique, dhe u hap në vitin 2011 pranë fabrikës së kompanisë.
Kujtojmë se në tetor të vitit të kaluar një grabitje e mirëmenduar në mes të ditës në muzeun e Luvrit në Paris vendosi sigurinë e muzeve në Francë në qendër të vëmendjes. Në Luvër u vodhën bizhuteri me vlerë 102 milionë dollarë, gjatë një bastisje e cila zgjati më pak se 8 minuta.
