Një i ri shqiptar ka rënë në prangat e policisë në Komo të Italisë, pasi u kap duke transportuar kokainë dhe i bëri rezistencë një oficeri policie.
Shkak për ndalimin e tij u bë sjellja e dyshimtë. I riu shqiptar po lëvizte me një çantë në dorë në momentin që po hynte në një apartament me qira ditore.
Shqiptari 26-vjeçar u ndalua nga oficerët për një kontroll. Por ai u bë menjëherë nervoz dhe u përpoq të arratisej, duke hedhur çantën që kishte me vete.
Megjithatë, arratisja e tij zgjati vetëm pak minuta, pasi oficerët e policisë arritën ta kapnin dhe më pas ta prangosnin.
Gjatë kontrollit të çantës u gjetën dhe u sekuestruan rreth 44 gramë kokainë, të ndara në 60 doza. Ndërkohë, në B&B-në ku ai po qëndronte, policia gjeti 185 euro në kartëmonedha me prerje të ndryshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i tij i paligjshëm.
I riu u dërgua në qelitë e paraburgimit dhe pritet të përballet me drejtësinë italiane.
