Kryeministri Edi Rama, do të marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, një nga platformat më të rëndësishme të dialogut ekonomik dhe politik mes Gjermanisë dhe vendeve të Europës Lindore.
Në kuadër të vizitës së tij në Berlin, Rama do të zhvillojë një takim me anëtarët e bordit të Komisionit të Bllokut Lindor dhe me drejtues ekzekutivë (CEO) të kompanive më të rëndësishme të Europës Lindore.
Takimi synon të shërbejë si një mundësi e mirë për nxitjen e investimeve, përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri dhe forcimin e perspektivave të bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Pritet që në orët e pasdites, Rama do të mbajë fjalimin kryesor në sesionin kryesor të Konferencës Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor me temën: “E ardhmja europiane e Shqipërisë, reforma, qëndrueshmëria dhe inovacioni në një peizazh gjeopolitik në ndryshim”.
Diskutimi do të moderohet nga Michael Harms dhe pjesë e prezantimit do të jetë Ministrja e Parë e krijuar me Inteligjencë Artificiale, Diella.
Më pas, sesioni do të vijojë me pyetje-përgjigje me pjesëmarrësit e konferencës.
Gjatë ditës së dytë të vizitës, më 17 qershor, Rama do të zhvillojë një takim me Ministren Federale të Çështjeve Ekonomike dhe Energjisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Katherina Reiche. Takimi do të përqendrohet në thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, investimet në sektorin e energjisë, si dhe progresin e vendit tonë në procesin e integrimit europian.
