Të afërm, miq e familjarë i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit imamit Gazmend ef. Tahirhovci i cili u vra nga një sulm me thikë, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Zlipotok të Dragashit.
Mësohet se gjatë orës 15:00 të ditës së sotme imami është përcjellë për në banesën e fundit, ku varrimi mësohet të jetë kryer në varrezat e fshatit.
Nga hetimet e bëra deri më tani, dyshohet se autori i vrasjes së imamit është shtetasi i identifikuar si Beshir Hamza, i njohur ndryshe dhe me nofkën “Kalorësi i Dragashit”.
Debati i ndodhur për çështje pronësie mësohet të jetë bërë shkaku i degradimit mes dyshes. Prezent në momentin tragjik mësohet të ketë qenë dhe babai i autorit.
Ndërsa nga mediat vendase raportohet se nxitja e debatit që përfundoi fatal për imamin, ka ndodhur për shkak të ndërhyrjes së mamasë së autorit.
Bëhet me dije se autoritetet vendase po vijojnë me punën për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa në lidhje me ngjarjen e rëndë ka reaguar dhe Bashkësia Islame e Kosovës e cila dënon dhe shpreh keqardhjen e saj për vrasjen e imamit.
Teksa hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë në vijim, mësohet se Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Beshir Hamza dhe babait të tij, emri i të cilit nuk është bërë publik.
Nga ana e prokurorisë thuhet se Beshir Hamza më 29.06.2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Gazmend Tairovci.
Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi).
Prokuroria bën me dije se i pandehuri i ka shkaktuar viktimës lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave imami ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Nga ana tjetër, babai i Beshir Hamzës, I.H., dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën. Për rrjedhojë, ky i fundit akuzohet për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës”.
Reagimi i Bashkisë Islame të Kosovës:
Me dhimbje të thellë dhe shqetësim morëm lajmin për vrasjen mizore të imamit Gazmend ef. Tahirhovci në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit.
Pavarësisht motiveve apo rrethanave të këtij rasti tragjik, askush nuk ka të drejtë ta privojë tjetrin nga jeta. Jeta e njeriut është dhuratë e Zotit të Madhëruar dhe cenimi i saj përbën një nga krimet më të rënda, të dënuara si nga feja, ashtu edhe nga ligji.
Dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt të rëndë kriminal të kryer ndaj imamit Gazmend ef. Tahirhovci dhe kërkojmë nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që autori i këtij krimi të marrë dënimin e merituar në përputhje me ligjin dhe drejtësia të vihet në vend.
Në këto çaste të rënda, i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së të ndjerit, xhematit të tij, si dhe të gjithë besimtarëve dhe miqve që e njohën dhe e vlerësuan.
Lusim Zotin e Madhëruar që familjes t'i japë sabër, forcë dhe durim për ta përballuar këtë humbje të rëndë, ndërsa imamin Gazmend ef. Tahirhovci ta falë dhe ta marrë në mëshirën e Tij.
