Një tjetër alarm vjen nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, i cili ka zbuluar një fushatë të re mashtrimi që po qarkullon masivisht përmes mesazheve SMS dhe që synon të mashtrojë qytetarët shqiptarë duke u paraqitur si njoftime zyrtare për gjoba trafiku të papaguara. Pas këtyre mesazheve fshihen faqe të rreme të ndërtuara për të imituar platformën zyrtare e-Albania, me qëllimin e vetëm për të vjedhur të dhëna personale, kredenciale hyrëse dhe informacione bankare.
Sipas AKSK-së qytetarët po marrin mesazhe që duken në pamje të parë si komunikime zyrtare, ku pretendohet se kanë detyrime të pashlyera për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në mesazh u kërkohet të klikojnë mbi një link për të kryer pagesën e gjobës, por sapo futen në faqen mashtruese, përdoruesit përballen me rrezikun e dorëzimit të të dhënave sensitive që më pas mund të përdoren për vjedhje identiteti apo për të hyrë në llogaritë e tyre bankare.
“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka identifikuar një fushatë mashtrimi përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten si njoftime për gjoba trafiku të papaguara dhe ridrejtojnë përdoruesit drejt faqeve që imitojnë platformën zyrtare e-Albania, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale, kredencialeve dhe informacioneve bankare.
AKSK ka ndërmarrë masat e nevojshme, duke referuar pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, si dhe pranë AKEP-it, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës, për marrjen e masave përkatëse të bllokimit. Mesazhet përmbajnë lidhje të dyshimta që synojnë përvetësimin e të dhënave personale, kredencialeve dhe informacioneve bankare”, thuhet në reagimin e bërë nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kobernetike, teksa më tej u bëhet thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos klikojnë në lidhje të dyshimta që mbërrijnë përmes SMS-ve, të mos ndajnë asnjëherë të dhëna personale apo bankare në faqe të panjohura dhe të verifikojnë gjithmonë adresën e internetit para se të kryejnë veprime financialre.
Njoftimi i plotë:
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka identifikuar një fushatë mashtrimi përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten si njoftime për gjoba trafiku të papaguara dhe ridrejtojnë përdoruesit drejt faqeve që imitojnë platformën zyrtare e-Albania, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale, kredencialeve dhe informacioneve bankare.
AKSK ka ndërmarrë masat e nevojshme, duke referuar pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, si dhe pranë AKEP-it, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës, për marrjen e masave përkatëse të bllokimit. Mesazhet përmbajnë lidhje të dyshimta që synojnë përvetësimin e të dhënave personale, kredencialeve dhe informacioneve bankare.
Për t’u mbrojtur:
Mos klikoni në lidhje të dyshimta.
Mos ndani të dhëna personale apo bankare.
Verifikoni gjithmonë adresën e faqes që po vizitoni.
Përdorni vetëm kanalet zyrtare për të kontrolluar ose kryer pagesa.
Nëse dyshoni se keni rënë pre e këtij mashtrimi, kontaktoni menjëherë bankën tuaj dhe raportoni rastin pranë autoriteteve përkatëse.
