Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

TRONDITËSE! Policia i vuri prangat vajzës për vrasjen e mamasë, familjarët e 85-vjeçares kërkojnë që të hetohen djali dhe nusja e saj: I kanë dhunuar të dyja (DEKLARATA)

Shkruar nga Newsbomb
TRONDITËSE! Policia i vuri prangat vajzës për vrasjen e
85-vjeçarja e vrarë

Detaje tragjike kanë dalë në pah nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Fushë-Mamurras, ku u tha se 57-vjeçarja Violeta Shpani ka qëlluar për vdekje me thikë, mamanë e saj 85-vjeçare.

Pas raportimeve të bëra nga mediat të shumta, ka ardhur reagimi i menjëhershëm i familjarëve.

Në reagime të bëra për JOQ Albania, familjarët janë shprehur se Violeta Shpani vuante prej vitesh nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa theksojnë se ajo nuk ka qenë në gjendje të organizojë dhe të kryejë e vetme një krim të tillë. E jo më të fshehë gjurmët e krimit, siç ngjarja u raportua.

Të afërmit e familjes janë shprehur se pranë banesës së 85-vjeçares jetonte edhe djali i saj së bashku me bashkëshorten.

Ata shprehen se marrëdhëniet mes tyre nuk kanë qenë të mira, duke zbuluar dhe episode të mëparshme dhune ndaj nënës dhe motrës, që u kanë shkaktuar atyre edhe thyerjen e gjymtyrëve.

Deklaratat e tyre ngrenë dyshime se djali ose nusja e të moshuarës mund të kenë pasur gisht në vrasjen e saj.

Për rrjedhojë, ata kërkojnë që hetimet të mos kufizohen vetëm te një pistë te ajo se autorja e ngjarjes është vajza e familjes,  por të verifikohen të gjitha rrethanat dhe personat që mund të kenë pasur lidhje me ngjarjen.

Dyshime të tjera rrjedhin dhe nga ceremonia mortore e zhvilluar. Sipas tyre, ceremonia është zhvilluar sipas traditave të krahinës së Mirditës, ku përgatitjet për varrim kërkojnë kohë dhe angazhim të disa personave.

Kështu ata nënvizojnë se një person që vuan nga probleme të shëndetit mendor (siç është vajza e shtëpisë e cila akuzohet për vrasjen e nënës) do ta kishte të pamundur të kryente i vetëm të gjitha veprimet.

Po ashtu, familjarët bëjnë me dije se ata janë njoftuar për vdekjen e 85-vjeçares rreth orës 14:00, ndërsa ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit.

Ditën e djeshme, Policia e Lezhës bëri me dije se janë vënë në pranga Violeta Shpani si e dyshuara kryesore e vrasjes së mamasë së saj, si dhe është proceduar penalisht mjekja e spiitalit e cila e raportoi vdekjen e të moshuarës si ngjarje e ndodhur për shkaqe natyrale.

Njoftimi i Policisë:

Kurbin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Enigma”.

Zbardhet një ngjarje kriminale, vrasje në familje, e ndodhur në fshatin Fushë Mamurras, Kurbin.

Dyshohet se ka vrarë nënën e saj me mjet prerës (thikë), vihet në pranga 57-vjeçarja.

Procedohet penalisht edhe një shtetase (mjeke), e cila ka plotësuar aktin si vdekje natyrale dhe nuk ka raportuar në Polici rastin.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë siguroi të dhëna në rrugë operative se në fshatin Fushë Mamurras kishte ndërruar jetë një 85-vjeçare më datë 30.04.2026, duke u pretenduar vdekje natyrale dhe pa u raportuar në Polici.

Nga të dhënat e siguruara nga Policia lindën dyshime të arsyeshme për një ngjarje kriminale.

Bazuar në informacionet e siguruara, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në bashkëpunim me Prokurorinë nisi menjëherë veprimet verifikuese dhe hetimore në lidhje me rastin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se shtetasja D. Sh., 85 vjeçe, ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me mjet prerës (thikë), ndërsa si autore e dyshuar e ngjarjes rezulton vajza e saj, shtetasja V. Sh., e cila jetonte në të njëjtën banesë me viktimën dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetases V. Sh., 57 vjeçe, banuese në Fushë-Mamurras, e dyshuar si autore e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës (thikë), si dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.

Gjithashtu, janë referuar materialet procedurale në gjendje të lirë për shtetasen A. Ll., mjeke, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, e cila ka plotësuar aktin e vdekjes, duke e cilësuar si vdekje natyrale dhe duke mos e raportuar në Polici vdekjen e 85-vjeçares.

Në bashkëpunim me Prokurorin vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe, nëse ka persona të tjerë të përfshirë, për identifikimin dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese