Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Zbardhet dinamika e vrasjes së policit! Enea Mekolli u qëllua në kokë, qafë, gjoks e këmbë, nuk arriti të hapte zjarr ndaj Braçellarit, arma iu gjet me plumbin ende në fole (E PLOTË)

Shkruar nga Newsbomb
Zbardhet dinamika e vrasjes së policit! Enea Mekolli u qëllua në
Efektivi i policise qe u vra nga Violand Braçellari

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me operacionin policor të zhvilluar në malin e Bodesë, ku humbi jetën efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri. Dosja hetimore dhe të dhënat e Prokurorisë zbardhin hap pas hapi dinamikën e ngjarjes së rëndë që tronditi uniformat blu.

Sipas hetimeve, operacioni për kapjen e 43-vjeçarit Violand Braçellari u organizua pas kallëzimit të një 32-vjeçari, i cili prej disa ditësh punonte si çoban pranë bagëtive të tij. Ky i fundit denoncoi në polici se ishte dhunuar dhe kërcënuar me qytën e armës nga Braçellari. Në dëshminë e tij, ai tregoi edhe vendndodhjen ku qëndronte 43-vjeçari, pranë stallave të bagëtive, duke informuar se ai dispononte një armë automatike dhe një armë gjahu.

Mëngjesin e 4 qershorit, rreth orës 07:00, forcat e Policisë së Korçës iu afruan zonës sipas planit operacional të hartuar për arrestimin e tij. Ndërsa efektivët po kryenin rrethimin e ndërtesave pranë stallave, dhe pa u përmbyllur ende operacioni, Braçellari hapi zjarr në drejtim të tyre.

Nga breshëria e plumbave mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos kolegu i tij, Edison Adri. Pas shkëmbimit të zjarrit, autori tentoi të largohej me vrap në drejtim të poshtëm të stallave, por, i plagosur u neutralizua dhe u arrestua vetëm pak metra më tej.

Pranë vendit ku u kap, hetuesit gjetën një armë automatike pa fishekë, me qytë dhe bajonetë të montuar. Në vendngjarje u sekuestruan gjithashtu dy gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, ndërsa u morën edhe mostra biologjike për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.

Kontrollet e kryera në zonë zbuluan prova të tjera të rëndësishme. Pranë dy stallave me mure tulle u gjet një bluzë e bardhë me mëngë të shkurtra, e grisur dhe e njollosur me gjak. Në pika të ndryshme të terrenit u konstatuan edhe gëzhoja të shumta armësh automatike, ndërsa pranë stallës së dytë u zbuluan të tjera me të njëjtat karakteristika.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezultoi se trupi i pajetë i efektivit Enea Mekolli ndodhej rreth tetë metra larg murit të stallës së fundit. Ai kishte marrë plagë të shumta nga armë zjarri në kokë, qafë, vesh, gjoks dhe këmbë. Në momentin e sulmit, Mekolli ishte i pajisur me uniformë policie dhe jelek antiplumb, i cili paraqiste dëmtime në pjesën e gjoksit dhe në rripat e supeve.

Një prej elementëve më domethënës të dosjes hetimore lidhet me armën e shërbimit të efektivit të ndjerë. Ajo u gjet pranë trupit të tij me një karikator prej 30 fishekësh, ku 29 ndodheshin ende brenda, ndërsa një fishek ishte në folenë e armës. Sipas grupit hetimor, ky fakt tregon se Mekolli nuk kishte arritur të qëllonte asnjë plumb gjatë sulmit fatal.

Hetuesit kanë konstatuar gjithashtu se dritarja anësore e stallës së parë ishte e hapur dhe rrjeta metalike e saj ishte e shqyer, çka krijon dyshime se autori ka dalë nga ajo pjesë e godinës. Në të gjithë itinerarin, nga dritarja deri në vendin ku u kap Braçellari, u gjetën një numër i madh gëzhojash, të cilat dyshohet se janë qitur nga e njëjta armë.

Ndërkohë, pas stallës së parë, në zonën ku ishin pozicionuar efektivët e policisë, u sekuestruan dhjetëra gëzhoja të tjera. Përballë derës hyrëse të stallës u gjet arma e efektivit të plagosur Edison Adri. Në karikatorin e saj ndodheshin ende 23 fishekë, ndërsa një tjetër ishte në fole, çka sipas hetuesve tregon se arma është përdorur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Pranë saj u gjet edhe një fragment predhe, ndërsa pak metra më larg u zbuluan jeleku antiplumb dhe radioja e efektivit, të dyja të mbuluara me njolla gjaku.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese