Policia Kufitare ka ndërhyrë në zonën bregdetare të Borshit, duke bllokuar një mjet lundrues që kishte shkelur perimetrin e sigurisë dhe ishte futur në hapësirën e rezervuar për pushuesit.
Ngjarja është konstatuar gjatë kontrolleve dhe patrullimeve të shtuara që po zhvillohen përgjatë vijës bregdetare në kuadër të masave për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik. Sipas autoriteteve, mjeti lundrues u evidentua në zonën e njohur si “Krorëz”, ku kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në afërsi të pushuesve që po laheshin në det.
Pas verifikimeve dhe procedurave administrative, drejtuesi i mjetit u ndëshkua me një gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa autoritetet vendosën edhe bllokimin e mjetit lundrues.
Policia Kufitare thekson se kontrollet përgjatë bregdetit do të vijojnë me intensitet gjatë gjithë sezonit veror, me qëllim parandalimin e rasteve që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe pushuesve.
Ndërkohë, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e përcaktuara për pushuesit.
“Shkeli perimetrin e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve, Policia Kufitare bllokon mjetin lundrues dhe ndëshkon drejtuesin me masë administrative 500.000 lekë të rinj.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë patrullimit në zonën e quajtur “Krorëz”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues që ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Në përfundim të veprimeve administrative, ndaj drejtuesit të mjetit lundrues u vendos masë administrative në vlerën 500.000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues.
Policia e Shtetit apelon ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit.
Gjithashtu, në zonat ku ende nuk janë vendosur perimetrat e sigurisë, drejtuesit e mjeteve lundruese nuk duhet të afrohen në bregdet apo të kryejnë manovra hyrje-daljeje në vende ku ka pushues, me qëllim shmangien e çdo rreziku për jetën dhe sigurinë e tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë.
