Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dalë me një tjetër reagim lidhur me operacionin e koduar "Basti i Fundit", i zhvilluar një ditë më parë në Fushë-Krujë.
Sipas AMP-së, në vazhdën e veprimeve intensive hetimore dhe procedurale të ndërmarra pas operacionit, është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i tre personave, mes tyre edhe një punonjësi të Policisë së Shtetit.
Në pranga ka rënë Lutfi Dervishi, me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë në Komunitet, me zonë mbulimi qytetin e Fushë-Krujës. Ai dyshohet për veprat penale **"Shpërdorimi i detyrës” dhe "Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin"**. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan 119 fishekë të kalibrit 9 mm.
Po ashtu, u arrestuan edhe shtetasit Sabah Stafuga dhe Fatmir Stafuga, të dy banues në Arrameras, Fushë-Krujë. Ata akuzohen për veprat penale "Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Gjatë kontrolleve në ambientet që ishin objekt i hetimit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan katër pajisje elektronike të dyshuara se përdoreshin për lojëra fati, dy serverë kompjuterikë, një pajisje DVR, lëndë e dyshuar narkotike e ndarë në disa doza me peshë totale 6.63 gramë, si dhe tre telefona celularë.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të operacionit të koduar “Basti i Fundit”, si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera, u arrestuan në flagrancë një punonjës policie dhe dy shtetas.
Lutfi Dervishi me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, me zonë mbulimi qytetin e Fushë-Krujës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 197 të Kodit Penal.
Gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 119 fishekë model 9mm.
Sabah Stafuga, banues në Arrameras, Fushë-Krujë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i padënuar më parë.
Fatmir Stafuga, banues në Arrameras, Fushë-Krujë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.
Arrestimi i shtetasve Sabah Stafuga dhe Fatmir Stafuga u krye për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 197 dhe 283 të Kodit Penal
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet objekt hetimi, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
* 4 pajisje elektronike (makineta) të dyshuara për ushtrimin e lojërave të fatit;
* 2 serverë/njësi kompjuterike, të dyshuara se përdoreshin për aktivitetin e kundërligjshëm;
* 1 pajisje DVR;
* 5 qese me mbështjellje plastike, që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 2.22 gramë;
* 6 qese të vogla plastike, që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 4.41 gramë;
* 3 aparate telefonike celulare.
Veprimet hetimore vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë, si dhe evidentimin dhe dokumentimin e çdo rasti të favorizimit, mbështetjes apo mosveprimit nga punonjës të strukturave ligjzbatuese.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e vendosur në përmbushjen e përgjegjësive të saj ligjore, duke zbatuar standard të barabartë përpara ligjit dhe tolerancë zero ndaj çdo punonjësi që, në kundërshtim me detyrën dhe përgjegjësinë publike, përfshihet, favorizon apo mbështet veprimtari të kundërligjshme.
